Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka ngritur akuza të forta ndaj mënyrës se si menaxhohen prokurimet publike dhe koncesionet në Shqipëri, duke deklaruar se ekonomia është shndërruar në një sistem që favorizon një pakicë të vogël, pa garë dhe pa transparencë.
Në një reagim publik, Tabaku tha se në vend janë tenderuar rreth 2.2 miliardë euro në formë koncesionesh, ndërsa rreth 1 miliard euro prej tyre ndodhen nën hetim për korrupsion. Sipas saj, shumë prej këtyre projekteve janë miratuar përmes ligjeve speciale në Parlament, duke shmangur konkurrencën dhe standardet e një ekonomie të hapur.
Ajo theksoi gjithashtu se situata në prokurimet publike mbetet problematike, duke pretenduar se “1 në 2 tendera jepen pa garë”, ndërsa edhe kur zhvillohet konkurrencë, pjesa më e madhe e fondeve përqendrohet në një numër të kufizuar kompanish.
Sipas Tabakut, kjo situatë tregon se ekonomia shqiptare nuk funksionon mbi bazën e tregut të lirë dhe konkurrencës reale, por mbi një model të kapjes së shtetit dhe përqendrimit të pasurisë publike.
Ajo krahasoi Shqipërinë me vendet e rajonit, duke përmendur se Serbia ka një përqindje shumë më të lartë të tenderave me garë, ndërsa Shqipëria mbetet pas standardeve minimale të transparencës.
Deputetja demokrate ngriti shqetësime edhe për sektorë të ndryshëm si AKSHI, inceneratorët, portet, aeroportet dhe energjia, të cilat sipas saj përfaqësojnë modele të mbyllura ekonomike që kanë dominuar për më shumë se një dekadë.
Në përfundim, Jorida Tabaku theksoi se ekonomia shqiptare ka nevojë për një ndryshim të thellë, ku fiton më i miri dhe jo ai që ka lidhje me pushtetin, duke kërkuar rikthimin e konkurrencës reale në treg dhe prokurime publike më transparente./A.D
