Në finalen e së shtunës (16 maj) të “Eurovision Song Contest”, që do të zhvillohet në Vjenë të Austrisë, një nga përfaqësueset e Finlandës do të sjellë një përjashtim të rrallë nga rregullat e konkursit që nuk është parë prej gati tre dekadash.
Në një garë ku 25 performanca nga vende të ndryshme evropiane, si edhe Australia dhe Izraeli, do të ngjiten në skenë, rregullat e Eurovision-it janë të rrepta për të garantuar kalime të shpejta dhe pa probleme teknike mes këngëve. Sipas këtyre rregullave, instrumentet muzikore në skenë nuk lejohen të jenë të lidhura dhe duhet të jenë të parapërgatitura në “backing track”, duke bërë që performuesit shpesh të simulojnë luajtjen e tyre live. Kjo është arsyeja pse artistë si Sam Ryder, Måneskin apo edhe grupi britanik “Look Mum No Computer” nuk kanë përdorur instrumente të luajtura realisht në skenë.
Megjithatë, këtë vit do të ketë një përjashtim të rrallë për përfaqësuesen e Finlandës, violinisten Linda Lampenius, e cila do të performojë së bashku me Pete Parkkonen me këngën “Liekinheitin”.
Lampenius është lejuar të luajë violinën live në skenë, duke thyer një rregull që ka qenë në fuqi për rreth 28 vite. Ajo e ka cilësuar këtë si një privilegj të veçantë dhe ka shprehur mirënjohje për mundësinë për të performuar realisht instrumentin e saj në skenën e Eurovision-it.
“Jam shumë mirënjohëse që mund të luaj live,” ka deklaruar ajo, duke shtuar se violina është mënyra e saj kryesore e shprehjes artistike në këngë dhe se kjo e bën performancën më të plotë dhe autentike.
Sipas saj, në një garë të tillë muzikore, të gjithë artistët duhet të kenë mundësinë të performojnë me instrumentet e tyre kur ato janë pjesë thelbësore e këngës.
Ndërkohë, rregullat e Eurovision-it mbeten të pandryshuara për vokalet: këndimi “playback” nuk lejohet dhe të gjitha vokalet kryesore duhet të jenë të drejtpërdrejta, duke ruajtur kështu një nivel autenticiteti në interpretim brenda kufizimeve teknike të spektaklit të madh evropian./mxh
