Një analizë e Bankës së Shqipërisë tregon se ekspozimi direkt vlerësohet i kontrolluar, ndërsa aftësia përthithëse e ekonomisë është përmirësuar ndjeshëm në vitet e fundit.
Ky pozicion mbështetet nga përmirësimi i eficiencës energjetike të ekonomisë, ekspozimi i kufizuar i konsumatorëve, për shkak të peshës së ulët të karburanteve në shportën e konsumit; dhe një tablo makroekonomike e përmirësuar, e cila ofron hapësirë të shtuar për reagim.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se ndikimi përfundimtar do të varet nga kohëzgjatja e goditjes dhe zhvillimet gjeopolitike.
Në vitin 2025, importet e naftës arritën rreth 740 mijë tonë, duke përfaqësuar rreth 5.9% të totalit të importeve.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo tregon ndjeshmërinë e bilancit tregtar ndaj luhatjeve në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Episodi i vitit 2022 ilustroi qartë se rritjet e forta të çmimeve mund të përkeqësojnë deficitin tregtar dhe të ushtrojnë presione shtesë mbi bilancin e pagesave.
Ekspozimi ndaj goditjes nuk është i njëtrajtshëm nëpër sektorë të ekonomisë.
Bizneset mbajnë peshën kryesore të konsumit të naftës, me rreth 78.3%, ndërsa familjet rreth 21.7%. Për më tepër, pesha e naftës në shportën e konsumit familjar është e ulët, rreth 3.47%.
Megjithatë, ndikimi i rritjes së çmimit në buxhetet e familjeve mund të ndihet edhe përmes kanaleve indirekte, që burojnë nga rritja e çmimeve të transportit dhe të mallrave të prodhuara me intensitet të lartë energjetik.
Brenda kategorisë së bizneseve, sektorët me intensitet më të lartë përdorimi të naftës dhe, rrjedhimisht, më të ekspozuar ndaj goditjeve në çmime janë transporti, industria përpunuese, akomodimi dhe ndërtimi.
Nga këndvështrimi i kostove, pesha e shpenzimeve për naftë rezulton më e lartë në transport, industri nxjerrëse, akomodim, tregti dhe ndërtim. Në nivel ekonomie, shpenzimet për lëndë djegëse përbëjnë rreth 6.4% të kostos totale.
Rritja e çmimit të naftës përbën një goditje negative nga ana e ofertës, e cila mund të përcillet në ekonomi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë.
Banka e Shqipërisë vlerëson se intensiteti dhe kohëzgjatja e ndikimit do të varen nga kohëzgjatja e konfliktit, rikthimi i prodhimit në nivelet përpara luftës dhe qëndrueshmëria e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, duke e bërë këtë proces të kushtëzuar nga zhvillimet gjeopolitike dhe objekt të një monitorimi të vazhdueshëm.
Sipas analizës, transmetimi në inflacion ndodh përmes dy kanaleve kryesore: kanali i drejtpërdrejtë dhe me veprim të menjëhershëm reflekton rritjen e çmimeve të karburanteve për konsumatorin në transportin individual dhe kanalet e tërthorta, me veprim të ngadaltë, por më të qëndrueshëm, përfshijnë disa mekanizma ndërveprues.
Së pari, rritja e kostove për bizneset, e cila transmetohet gradualisht në çmimet e mallrave të tjera dhe të shërbimeve, duke gjeneruar presione më të gjera inflacioniste.
Së dyti, dobësimi i kërkesës agregate, në kushtet kur kërkesa për naftë është relativisht joelastike dhe rritja e çmimeve përkthehet në përkeqësim të termave të tregtisë. Së fundi, ndikimet që burojnë nga ngadalësimi i aktivitetit ekonomik dhe rritja e inflacionit në partnerët tregtarë.
Ndonëse në këtë fazë, vlerësimi i plotë i të gjitha kanaleve të mësipërme, me një shkallë të lartë saktësie, mbetet i vështirë për t’u realizuar, sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, mund të evidentohen dy përfundime kryesore.
Për sa i takon kahut të ndikimit, goditja pritet të prodhojë efekte të kundërta mbi inflacionin dhe rritjen ekonomike: rritja e qëndrueshme e çmimeve të naftës ushtron presion në rritje mbi inflacionin, ndërkohë që frenon aktivitetin ekonomik përmes reduktimit të fuqisë blerëse, zhvendosjes së të ardhurave drejt financimit të importeve dhe rritjes së pasigurisë.
Në aspektin kohor e sasior, një goditje e përkohshme dhe e kufizuar pritet të ketë efekte kalimtare mbi inflacionin, ndërsa një rritje e zgjatur dhe e lartë e çmimeve energjetike, e reflektuar në kostot e prodhimit dhe në pritjet inflacioniste, mund të gjenerojë presione më të qëndrueshme, me pasoja më të theksuara si për inflacionin, ashtu edhe për rritjen ekonomike./mxh
