Last Updated on 19/05/2026 by EL
Nga ARTUR AJAZI
Në rast se ecet me ritme të tilla, ku një hetim zgjat me vite, dhe një gjykim po me vite, atehere nuk ka pse themi “bëmë reformimin e organeve të drejtësisë”. Hetime, hetime, vetëm hetime. Zgjatje të afatit të hetimit. Zgjatje të afateve të gjykimit. Rikthim të hetimit, rikthim të gjykimit. Dhe koha kalon, dhe afatet mbarojnë, dhe pastaj shijohen milionat e vjedhura. Pra, ja vlen që për 10 apo 20 milion euro të vjedhura, apo edhe më shumë, të bësh ca vite hetuesi, ca vite gjykim të zakonshëm apo të shkurtuar. O hetues, o prokurorë, o gjyqtarë të nderuar. E di që, është e vështirë puna juaj. E di që keni arsye objektive të zgjasni hetimet, të shtyni hetimet, por koha kalon. Dhe ish-pushtetaret, politikanët, drejtuesit e lartë, e kanë “luks” zgjatjen e hetimeve, zgjatjen e gjykimeve me vote. Ka mbi 5 vite që janë arrestuar banditë e vrasës. Akoma nuk janë gjykuar, akoma nuk janë dënuar, akoma nuk po shijojnë vendimin e gjykatave, sepse organet tona të drejtësisë re, punojnë nën presion nga krimi, politika, segmente të ndryshme të strukturave të errëta. Më thoni 1 vend të botës, ku arrestohet krimineli, politikani, ish-pushtetari apo pushtetari actual, dhe hetimet zgjasin me vite ? Më thoni 1 vend të botës, ku të arrestuarit “VIP”, hyjnë e dalin nga burgu, paraburgimi, dhe shijojnë milionat e vjedhura, dhe i rikthehen jetës prej sheiku ? Jo, nuk ka asnjë vend si yni. Edi Rama u përball fort, me strukturat e politik֝s së keqe, i theu ato. Nisi reformën në organet e drejtësisë, dhe jo me qëllimin që, hetimet të zgjaten me vite, që proceset gjyqsore të zgjaten me vite. Sepse në raste të tilla thuhet se “ ku ishe, asgjëkundi, çfarë bërë hiç asgjë”. Ka ardhur koha dhe momenti, që drejtësia e re, e superpaguar nga taksat e shqiptareve, të tregojë sa e aftë është, të tregojë “dhëmbët” e saj, të justifikojë besimin e shqiptareve dhe politikës serioze. Janë mbi 162 mijë dosje në prokurori dhe gjykata. Si do ti jepni “dum” ju të drejtësisë, ju prokurorë dhe gjyqtarë, malit me dosje që ka mbetur stok në zyrat tuaja ? Si do të jepni drejtësi për ata mijëra shqiptarë, që kanë vite e dekada, që presin drejtësi, që mezi presin vendimin e drejtësisë ? Nuk ecet me “hapin e breshkës” në drejtësi. Nuk ecet me mentalitetin “shtyje ta shtyjmë” në drejtësi. Vizitat e shpeshta në Tiranë të nderkombetareve dhe prokurorëve shqiptarë në Europë dhe SHBA, duhet të kenë efektin e duhur në përshpejtimin e hetimeve, gjykimeve dhe vendimeve mbi ata që akuzohen për krime, korrupsion, dhe vepra të tjera penale. Bashkimi Europian nuk të qas me mendësi të tilla. Ndaj, ka ardhur momenti ti jepet fund, sorrollatjeve, hetimeve dhe gjykimeve me vite, dhe të tregohet serioziteti dhe dinamika e duhur e drejtësisë së re.
