Ish-ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, ka reaguar ashpër lidhur me standardet që po zbatohen në proceset gjyqësore ndaj zyrtarëve të lartë, duke akuzuar sistemin e drejtësisë për trajtim të ndryshëm në raste të ngjashme.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Vasili ka kritikuar vendimin e fundit të GJKKO-së për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, duke e krahasuar mënyrën e trajtimit të tij në sallën e gjyqit me atë të ish-kryeministrit Ilir Meta.
“Drejtësi rrugaçësh! Meta në kafaz, ndërsa Beqaj në sallë pranë avokatit. Këta gjykatës kujtojnë se e kanë marrë me tapi ligjin dhe sallat e gjyqeve”, shkruan Vasili.
Ai akuzon gjyqtarët për standarde të dyfishta dhe për një sistem që, sipas tij, nuk zbaton ligjin në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët.
“Çfarë qeverisje ka ky sistem gjyqësor, që ka një ligj dhe trajtim special mafioz për Ilir Metën dhe një ligj tjetër për të tjerët, ndërkohë që ligji është një i vetëm dhe i barabartë për të gjithë”, vijon reagimi i tij.
Vasili shkon më tej duke e cilësuar sistemin e drejtësisë si të kapur dhe të padrejtë, duke thënë se sallat e gjyqit janë kthyer në hapësira ku, sipas tij, ligji zbatohet sipas interesave të ndryshme.
“Çfarë drejtësie e kapur koke e këmbë është kjo, që i ka kthyer sallat e gjyqit në parcela ku secili e punon tokën e ligjit sipas urdhrit, qejfit apo interesit të vet”, shprehet ai.
Në përfundim, Vasili e cilëson gjendjen aktuale të drejtësisë si “turpin më të madh të vendit”.
