Last Updated on 21/05/2026 by Anisa
Analisti Frrok Çupi e ka cilësuar si një zhvillim shumë pozitiv miratimin e raportit IBAR për Shqipërinë në kuadër të procesit të negociatave me Bashkimin Europian.
Në një intervistë për emisionin “Newsline” në ABC News, Çupi u shpreh se ky është një hap i rëndësishëm për vendin dhe se pas këtij momenti proceset e mëtejshme drejt integrimit europian do të jenë më të lehta.
“Është një lajm shumë i mirë, emocionues. Mund të ndodhte edhe që të shtyhej apo të mos bëhej fare. Nuk varej më nga Shqipëria, por nga vendimmarrja e 27 vendeve anëtare. Tani çështja ka dalë mbi ujëra dhe ka shkuar te vendet anëtare. Gjithçka që vjen më tej është shumë herë më e thjeshtë sesa ishte IBAR-i”, deklaroi ai.
Sipas Çupit, konferenca ndërqeveritare e planifikuar për 26 majin pritet të jetë një tjetër hap formal në avancimin e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Analisti kritikoi ashpër opozitën, duke thënë se ajo nuk e ka mbështetur procesin e integrimit europian dhe se ka tentuar ta pengojë atë.
“Opozita nuk mund ta pengojë. Është opozitë e vetme në botë që sheh vendin e vet duke shkuar në BE dhe mërzitet. Shkon në Europë dhe u thotë: ‘Ju lutem mos e pranoni Shqipërinë’. Madje me mburrje u thoshin qytetarëve se 9 shtete nuk e donin Shqipërinë”, u shpreh Çupi.
Ai shtoi se Partia Demokratike ka humbur kauzat më të rëndësishme kombëtare dhe për këtë arsye, sipas tij, qytetarët nuk kanë më besim tek ajo.
“Opozita është ende në logjikën e luftës së ftohtë, me mendësi të mbyllur. Ka dëshirë të madhe për të thënë të pavërteta. Ka humbur gjithë kohës kauzat e mëdha që i shërbejnë vendit dhe kjo ishte një prej tyre”, tha ai.
Në përfundim, Çupi deklaroi se PD nuk po perceptohet më si alternativë nga qytetarët.
“Qytetarët nuk e shikojnë fare, sepse nuk vlen për asgjë dhe nuk ofron shpresë. Përderisa nuk ka shpresë për PD, nuk mund ta vërejë askush”, përfundoi analisti./A.D
