Nisja e seancës në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për çështjen e pasurive të sekuestruara është shoqëruar me dëshminë e Mustafa Martinajt, babait të Ervis Martinajt.
Gjatë deklarimeve të tij, Mustafa Martinaj ka këmbëngulur se aktiviteti i tij ekonomik ka qenë i ligjshëm dhe i deklaruar. “Aktiviteti im ishte i njohur dhe i deklaruar. Kam udhëtuar me 800 mijë dollarë në makinë në kohë të vështira, dhe gjithçka ka qenë e deklaruar”, u shpreh ai.
Duke folur për jetën dhe arsimimin e të birit, ai tha se Ervis Martinaj fillimisht ka studiuar ekonomi në Parma të Italisë me bursë dhe më pas është kthyer në Shqipëri për të jetuar pranë familjes. Sipas tij, i biri ka qenë i angazhuar në studime dhe më vonë në aktivitete biznesi, përfshirë pika llotosh të licencuara.
“Visi ka qenë student në Itali, më pas u kthye në Tiranë për të jetuar me motrat. Ka qenë mbi mesataren në studime dhe punëtor”, tha ai, duke shtuar se familja ka ndihmuar në blerjen e pasurive dhe makinerive.
Në dëshminë e tij, Mustafa Martinaj foli edhe për lëvizjet financiare të familjes, duke deklaruar se ka kryer transaksione të mëdha në të kaluarën përmes institucioneve financiare dhe se është përballur me kontrolle të shumta nga autoritetet.
Ai u ndal gjithashtu te aktivitetet e të birit pas vitit 2008, duke thënë se ai është marrë me biznes të ligjshëm, ndërsa ka pranuar se ka pasur edhe hetime dhe dënime për lojëra fati.
Duke folur për pasuritë e sekuestruara, ai sqaroi edhe disa dhurime dhe transferime pronash brenda familjes, përfshirë një banesë që sipas tij është dhuruar me dijeninë e familjes.
Në vijim të dëshmisë, Mustafa Martinaj deklaroi se djali i tij ka jetuar në Laç deri në gusht të vitit 2022, kur edhe u raportua zhdukja e tij, ndërsa shtoi se familja ka qenë shpesh nën vëzhgimin e policisë.
Seanca pritet të vijojë me pyetje të mëtejshme nga prokuroria mbi origjinën e pasurive dhe transaksionet financiare të familjes Martinaj.
Dëshmia:
Nga 2008 e pas, djali është marrë me pika llotosh me licencë, detyrim 100% i paguar nga kompania si dhe ato vendore. Të parën pikë, s’mbahet mend ku e ka hapur. Po më pyeste mua, do t’i thoja jo. Mati Union e kam patur unë, është llogari transfertash; llotari fati unë personalisht s’kam patur. Kam kaluar të gjitha llojet e hetimeve. Ime shoqe dhe im vëlla kanë patur prokurë për të kryer veprime me Mati Union, edhe sot që flasim kam person të autorizuar që merrem. Me djalin kam folur dhjetra herë për aktivitetin e tij. Jemi përballur tek ansambli Çiftelia në gjyq. Është marrë vendimi nga Shkalla e Parë.
A. Kaçorri është nipi im, Visi ishte i imi, Alfio ishte djali i vajzës; është 14 vjeçar (e pyeti prokurorja çfarë marrëdhëniesh ka Ervisi me nipin). A. Kaçorrit i kam bërë unë dhuratë për ditëlindje, fjala bie 1,000 €, se e kam nip.
Kam dijeni që djali është dënuar për lojra fati. I kam kaluar të gjitha hetimet, nga Banka e Shqipërisë tek pastrimi i parave. Bisere Hato e njoh pas ngjarjes në Bllok në vitin 2018, ku u plagos djali dhe u vra një tjetër. Vrasësi nuk ka bërë asnjë ditë burg.
Një pasuri që sot është e sekuestruar në emër të Bisere Hatos, ia ka falur im bir, Eljo Hatos, me pëlqimin tim. Falja e banesës është bërë vetëm sepse Eljo Hato, djali i Biseres, i ka shpëtuar jetën Visit. Të parën makinë të mirë që ka pasur djali ka kushtuar 60 mijë euro, ose 48 mijë euro, me paratë e mia. E kam blerë herët. Në jetën e tij s’më ka sjellë shqetësim në shtëpi. Nuk ka të ri që s’ka konflikte apo zënka; deri në 2018, kurrë, pyesni në Laç, të flasë dikush keq, i përmendej emri me respekt.
Në 2018, ka ardhur dhe ka jetuar me gjithë familjen tek unë. Iku nga Tirana; bëmë pashaportizimin. Merrej kryesisht me gjueti dhe peshkim, jo për tregti. Në Laç ka qëndruar deri ditën e zhdukjes, 9 gusht 2022. Një herë jam thirrur me kërkesën time, jam deklaruar. Jetonte me të ardhurat që ka pasur nga biznesi që ka marrë, pastaj ka jetuar me mua. Me siguri ka blerë ndonjë makinë vetë; nuk di për ndonjë pronë të tijën në Tiranë. Kishte një apartament tek Qemal Stafa; sipas dijenisë sime, asnjë pronë tjetër.
Hotel Arbëria duhet ta kem blerë në 2016-2017. Ishte i mbyllur në atë kohë; kam investuar paratë e dynjasë. Duhet të shoh preventivin për të parë koston. Aktiviteti ka vijuar i njëjtë siç ka qenë. Biznesi është blerë nga Mustafa Martinaj. Pas vdekjes së Visit, pas zhdukjes, 23 herë më ka ardhur policia; mos të rënët e liga, unë s’jam as budalla, as naiv. Pyet Nallbatin me shokë të të tregojnë ata.
