Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, e vlerësoi presidentin Donald Trump, të cilin e cilësoi si “më të disiplinuar” krahasuar me mandatin e tij të parë.
“Po e krahasoj me mandatin e tij të parë dhe mendoj se ai është një version më i pjekur dhe më i disiplinuar i vetes sesa ishte në mandatin e parë”, tha Bezos për Andrew Ross Sorkin të CNBC, në një intervistë ku u diskutuan tarifat, taksat dhe ekonomia.
“Trump ka shumë ide të mira dhe ka bërë shumë gjëra. Ai ka pasur të drejtë për shumë çështje dhe duhet t’i jepet merita aty ku i takon”, shtoi ai.
Bezos është kritikuar për marrëdhënien e tij me Trump në muajt e fundit, me disa që e akuzojnë se po përpiqet të favorizojë presidentin.
Pas një darke me Trump në shkurt të vitit 2025, miliarderi njoftoi se The Washington Post, të cilën e bleu në vitin 2013, do të botonte vetëm artikuj opinioni “në mbështetje dhe mbrojtje të dy shtyllave: lirive personale dhe tregjeve të lira”. Ky vendim erdhi një muaj pasi qindra gazetarë të gazetës kishin firmosur një letër ku kritikonin drejtimin editorial të saj.
Të mërkurën, Sorkin e pyeti Bezosin për kritikat, duke iu referuar dokumentarit “Melania” të Amazon Studios për zonjën e parë. Amazon ka paguar 40 milionë dollarë për të licencuar filmin, së bashku me një buxhet marketingu prej 35 milionë dollarësh, duke e bërë atë një nga dokumentarët më të shtrenjtë të prodhuar ndonjëherë. Filmi ka arkëtuar rreth 16.6 milionë dollarë në mbarë botën.
Bezos mohoi çdo përfshirje personale në projekt.
“Gjëja me Melanian është një gënjeshtër që nuk do të vdesë kurrë”, tha ai, duke shtuar se filmi ishte një “vendim i mirë biznesi”.
“Suksesi në kinema ka qenë i mirë dhe gjithashtu në transmetim. Njerëzit janë shumë kuriozë për Melanian”, u shpreh Bezos. “Edhe pse unë nuk kam pasur asnjë lidhje me të, duket se ekipi i Amazon mori një vendim shumë të mençur biznesi.”
Bezos shtoi se ka bashkëpunuar me të gjithë presidentët amerikanë, përfshirë Barack Obama dhe Joe Biden, dhe se do të vazhdojë të punojë me administratat e ardhshme.
“Do të punoj me çdo president dhe shpresoj ta bëj këtë edhe në të ardhmen, nëse më pranojnë”, tha ai. “Ne kemi nevojë që liderët e biznesit të kontribuojnë në administratë, pavarësisht se kush është president.”/fjala.al-A.D
