Last Updated on 22/05/2026 by Anisa
Bashkia e Tiranës ka hapur një tender me fond limit rreth 445 milionë lekë (afro 4.5 milionë euro) për rikualifikimin urban të një blloku banimi në zonën e “Ali Demit”.
Ndërhyrja parashikohet të prekë hapësirën e kufizuar nga bulevardi “Bajram Curri”, bulevardi “Petro Nini Luarasi”, rruga “Taulantia” dhe rruga “Ali Demi”.
Sipas dokumenteve të procedurës, rrugët kryesore të zonës janë në gjendje përgjithësisht të pranueshme dhe nuk kërkojnë rikonstruksion të plotë të trupit të rrugës. Përjashtim bën rruga “Taulantia”, ku trotuaret janë të degraduara dhe në disa segmente mungojnë plotësisht.
Në fokus të projektit janë rrugët e brendshme të bllokut, si “Shyqyri Ishmi” dhe “Zonja Çurre”, të cilat do të rindërtohen nga e para. Ndërhyrjet përfshijnë rehabilitimin e shtresave rrugore, përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore dhe riorganizimin e hapësirave publike.
Dokumentacioni teknik evidenton probleme të shumta në zonë, ku mungesa e trotuareve detyron këmbësorët të ndajnë të njëjtën hapësirë me automjetet. Po ashtu, rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza rezulton i amortizuar dhe i dëmtuar në disa segmente.
Një tjetër problem i theksuar është edhe sistemi i ujërave të bardha, i cili nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për përballimin e reshjeve të shiut, duke e bërë të nevojshme ndërtimin e një sistemi të ri kullues.
Në projekt parashikohen gjithashtu ndërhyrje në ndriçimin publik, sidomos në rrugët “Zonja Çurre” dhe “Shyqyri Ishmi”, si dhe në zonat e brendshme ku mungon plotësisht infrastruktura e ndriçimit.
Pjesë e investimit është edhe krijimi i hapësirave të gjelbra dhe zonave rekreative, përfshirë kënde lojërash dhe terrene sportive në hapësira që aktualisht janë të degraduara ose të pashfrytëzuara.
Sipas dokumenteve zyrtare, projekti është hartuar mbi bazën e një plani pjesor të miratuar më herët nga Bashkia e Tiranës, me synimin për të realizuar transformim urban përmes ndërhyrjeve të kufizuara dhe shpronësimeve minimale./A.D

