Nga Luljeta Progni
Kjo është një fotografi e djeshme e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri Silvio Gonzato, në ambjentet e burgut të Spaçit, në përvjetorin e revoltës së të burgosurve në vitin 1973. Prania e e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në Burgun e Spaçit, është më shumë se një gjest diplomatik, është një akt respekti njerëzor dhe moral për mijëra shqiptarë që u vranë, u burgosën, u internuan dhe u persekutuan nga shteti i tyre gjatë diktaturës.
Nuk është hera e parë që ambasadori shkon në Spaç dhe vende të tjera të kujtesës.
Ai mbetet i angazhuar seriozisht për të dëgjuar vuajtjet e të mbijetuarve të diktaturës, shpesh duke u përlotur para historive dhe dramës së tyre shkaktuar nga dhuna e diktaturës komuniste. Jo vetëm i ka dëgjuar, por ka kërkuar nga institucionet shqiptare të respektohen të drejtat e tyre. Përmes angazhimit në mbrojtje të kësaj shtrese dhe pasardhësve të tyre, ai na kujton se dinjiteti i viktimave dhe e vërteta nuk janë thjesht çështje të së kaluarës, por themele të një shoqërie demokratike.
Nuk e di se sa dhe si e kanë dëgjuar drejtuesit e shtetit dhe politikës dhe nëse do ta reflektojnë këtë apel të vazhdueshëm të ambasadorit, por unë kam një falënderim dhe mirënjohje për ambasadorin Silvio Gonzato, për ndjeshmërinë dhe përfshirjen e tij në mbrojtje të kauzës së të përndjekurve politikë në diktaturë. E falënderoj me shumë mirënjohje si pasardhëse e gjyshërve të pushkatuar dhe e prindërve të dënuar me burg e internim, por edhe si gazetare dhe qytetare e këtij vendi, që prej 35 vitesh pret ende të respektohen të drejtat dhe dinjiteti njerëzor në një sistem që e quajmë demokraci, por nga standardet e së cilës mbetemi larg./A.D
