Last Updated on 23/05/2026 by Monika
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur një deklaratë për shtyp pas rikonfirmimit të tij si drejtues i partisë edhe për 4 vite të tjera.
Berisha e cilësoi procesin e sotëm zgjedhor si një nga më të rëndësishmit dhe më të jashtëzakonshmit që nga vitit 1991.
Ndër të tjera u shpreh se ishte një proces i lirë, ndërsa shtoi se siç votuan demokratët sot do të votojnë shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme. Ai theksoi se PD është sot një parti demokratike të modernizuar në të gjithë veprimtarinë e saj.
“Unë sonte duhet të them dhjetëra mijërave demokratëve se për mua në të gjitha votimet nga shtatori i vitit 1991 deri sot, ky është më votimi më i rëndësishëm dhe më i jashtëzakonshëm. Me këtë votëbesim ju vendosët të ecim të pamposhtur drejt qëllimeve të tona madhore. Të ecim të pamposhtur në përmbushjen e misionit të madh. Rreth 40 mijë gra dhe burra, djem dhe vajza që ngrihen fuqishëm pas betejash të fuqishme. Ky është lajm i madh për të gjithë ju që morët pjesë në votim, në vendosmërinë e PD-së për të përmbysur diktaturën e dytë në Shqipëri. Me votën tuaj keni lënë pa gjumë organizatën kriminale dhe kreun e saj. Keni lënë pa gjumë kartelet e drogës dhe mafien e tmerrshme të fjalës së lirë që bënë gjitthcka të përbaltin këtë proces. Më të fuqishmin që ka njohur PD në të gjithë ekzistencën e saj. Bënë gjithçka t’ju mashtrojnë dhe dekurajojnë. Bënë gjithçka në zbatim të porosive të kreut të narkoshtetit. Garantoj mafian qeveritare dhe vasalin e saj se lufta jonë është e pakompromis dhe e pashmangshme. U përballëm me një diktaturë autoritare e cila shpërbëri zgjedhjet. Siç votuan sot, do të votojnë shqiptarët nesër. Ky është betimi ynë. Mendove se me 11 maj fitove, po buzëqeshjen ta ngrimë muaj më parë. Sot ju keni votuar për një parti demokratike të modernizuar në të gjithë veprimtarinë e saj. Për një PD më të vendosur se kurrë në misionin e saj”, tha Berisha.
Sali Berisha u rikonfirmua si kryetar i Partisë Demokratike me 37 341 vota pro nga 38 902 vota të vlefshme në total. Ndërkohë, 1055 votuan kundër rikonfirmimit të tij në krye të PD-së, ndërsa 506 abstenuan dhe 539 vota u shpallën të pavlefshme./mxh
