Last Updated on 25/05/2026 by Kesjana
Mbështetja për fermerët ruralë dhe sipërmarrjet e vogla në Shqipëri po forcohet përmes një programi të integruar financimi dhe asistence teknike që po zbatohet nga FED invest në partneritet me Banka e Zhvillimit të Këshillit të Evropës, me fokus të veçantë fuqizimin ekonomik të grave.
Programi synon forcimin e kapaciteteve të fermerëve ruralë dhe sipërmarrësve të vegjël në vend, veçanërisht në zonat periferike, përmes financimeve, trajnimeve praktike, edukimit financiar dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë nga ekspertët e ABA Center .
Në këtë kuadër, FED invest ka krijuar edhe një produkt të posaçëm financimi për gratë sipërmarrëse në çdo sektor, nga bujqësia dhe blegtoria te shërbimet e ndryshme.
Sipas të dhënave të bëra publike, deri tani janë realizuar mbi 3 mijë financime për sipërmarrjet e vogla, ndërsa më shumë se 35 % e tyre janë përfituar nga gratë. Programi ka ndikuar gjithashtu në hapjen dhe formalizimin e mbi 250 vendeve të punës.
Përfaqësuesja e Bankës së Zhvillimit të Këshillit të Evropës, Kristina Maslauskaite, u shpreh se programi synon të mbështesë fermerët dhe sipërmarrësit e vegjël në zonat rurale, me theks të veçantë te gratë, përmes financimit dhe mbështetjes teknike.
“Projekti synon forcimin e kapaciteteve të fermerëve ruralë dhe sipërmarrësve të vegjël në zonat periferike, me fokus të veçantë fuqizimin e grave, përmes trajnimeve, demonstrimeve praktike dhe mbështetjes së ekspertëve”, tha Përfaqësuesja e Bankës së Zhvillimit të Këshillit të Evropës, Kristina Maslauskaite.
Ndërkohë, zëvendësadministratori dhe drejtori i biznesit në FED invest, Behar Gjoni, theksoi se programi është konceptuar për të ofruar jo vetëm kredi, por edhe asistencë teknike për përfituesit, me qëllim që investimet të jenë të qëndrueshme dhe të suksesshme.
“Ne kemi vendosur fokus të veçantë te mbështetja e grave sipërmarrëse, duke ofruar kushte më të favorshme financimi dhe norma më të ulëta interesi, për të nxitur përfshirjen e tyre më të madhe në ekonomi”, tha Gjoni.
Një prej përfitueseve të këtij instrumenti është edhe bletërritësja nga Preza, Haxhire Deirxhiu, e cila prej dekadash merret me bletari.
“Ne punojmë me FED invest prej shumë vitesh dhe mbështetja e tyre na ka ndihmuar të zhvillohemi. Merremi me bletari prej 48 vitesh dhe kjo mbështetje ka qenë e rëndësishme për punën tonë”, u shpreh ajo.
Në këtë kuadër, mbështetja për gratë sipërmarrëse dhe për bizneset e vogla po shihet si një element i rëndësishëm jo vetëm për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian./kb
