Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri theksoi se përfshirja e organizatave të shoqërisë civile është një nga kërkesat themelore në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij në konferencën për rolin e shoqërisë civile në proceset zgjedhore dhe në reformën elektorale, Gjiknuri deklaroi se miratimi i projektligjit për shoqërinë civile në zgjedhje synon të rrisë standardet demokratike dhe transparencën në proceset elektorale.
“Miratimi i projektligjit për shoqërinë civile në zgjedhje është futur si një nga kërkesat themelore për integrimin e Shqipërisë dhe roli i shoqërisë civile këtu është absolut për të sjellë eksperiencat e tyre, nga monitorimet në terren, boshllëqet që kanë konstatuar dhe puna jonë është ndërtuar duke i përfshirë të gjitha organizatat e shoqërisë civile në këtë proces”, u shpreh Gjiknuri.
Ai nënvizoi se reforma zgjedhore mbetet një proces politik, por sipas tij, qasja ka qenë që ndryshimet të realizohen me gjithëpërfshirje dhe me dakordësinë e opozitës.
“Ky është edhe një proces politik, pasi qasja jonë ka qenë që ligji të jetë me gjithëpërfshirje dhe dakordësinë e opozitës”, tha ai.
Një tjetër çështje ku u ndal deputeti socialist ishte transparenca e financimit të partive politike. Sipas Gjiknurit, shumë subjekte politike hasin vështirësi për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe teknike për të përmbushur standarde më të larta transparence.
“Ka shumë parti që janë të dobëta nga pikëpamja e kapaciteteve njerëzore dhe e gjejnë problematike rritjen e një standardi edhe më të lartë kur flitet për transparencën e burimeve të financimit. Transparenca në financim kërkon sisteme më të avancuara, njerëz që mbajnë financat e partive, raportim të vazhdueshëm dhe burime njerëzore”, deklaroi ai.
Deputeti theksoi gjithashtu se shoqëria civile do të ketë rol aktiv edhe në vijim të reformës zgjedhore dhe opinionet e saj do të merren në konsideratë.
“E njëjta gjë do të jetë edhe për reformën zgjedhore, ku shoqëria civile është e përfshirë dhe ne do t’i marrim në konsideratë opinionet e tyre. Eksperienca e shoqërisë civile është e jashtëzakonshme pasi monitoron proceset zgjedhore”, përfundoi Gjiknuri./kb
