Prokuroria e Tiranës i ka dërguar këtë të martë, 26 maj, një shkresë të dytë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU-së), ku i ka kërkuar informacione sa i takon bllokimit dhe më pas zhbllokimit të aktivitetit të kompanisë “Sori-Al”.
Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raporton se Prokuroria ka sekuestruar kartelat e 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, të cilën u helmuan nga ushqimi, dhe ia ka deleguar IML.
Në kërkesën e parë drejtuar AKU-së, grupi i hetimit kërkon t’i vendosen në dispozicion nga ky institucion, dokumentet nëse ka kryer më herët apo jo gjurmueshmërinë dhe kontrollin e ushqimit dhe produkteve.
Hetuesit kërkojnë të zbulojnë nëse ka pasur kontrolle të tjera dhe cilat kanë qenë rezultatet. Po ashtu prokuroria është në pritje edhe të akt-ekspertizës zyrtare nga Mjekësia Ligjore për helmimin e studentëve.
Ndërkohë kujtojmë se lidhur më ketë rast, pati një sqarim publik edhe nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
“Ka patur një komunikim publik edhe nga AKU-ja, që është instancë përgjegjëse për të bërë verifikimet përkatëse. Nga 9 monstra që ata kanë marrë e analizuar, 8 prej tyre kanë rezultuar brenda normave, dhe një ka rezultuar me prani të stafilokokut. Është lokalizuar ky mjedis, është dezinfektuar dhe aktiviteti ka vijuar normalisht, për ofrimin e shërbimit të ushqimit te studentët. Tani që flasim nuk kemi raste problematike”, është shprehur më herët ministri sa i takon helmimit të studentëve të Akademisë së Sigurisë.
Kujtojmë se më 7 maj, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë u shtruan në QSUT për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kishin simptomat e helmimit nga ushqimi. Pas kësaj, më 14 maj, AKU njoftoi se helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë ka ardhur nga konsumimi i makaronave të cilat rezultuan me esheria koli (Escherichia coli ) dhe stafilokok. Ky ishte rezultati i analizave të dala nga mostrat e marra pranë kuzhinës së Akademisë në Sauk./kb
