Kryedemokrati Sali Berisha njoftoi pasditen e sotme, se me përfundimin e diskutimeve, Kuvendi Kombëtar i PD-së ka mbyllur punimet e kësaj të shtune.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se demokratët kanë një vullnet të hekurt për të realizuar objektivat e veta dhe fitoren e opozitës.
Berisha u zotua para demokratëve se PD do të konkretizojë çdo përcaktim të këtij kuvendi dhe do të përmbushë misionin partiak.
“Ky kuvend, me debatin, dokumentet, përcakton si qëllim ripërtërirjen e Partisë Demokratike. Në kilometrin e saj të fundit, kusht themelor që të realizojë objektivin e vet, të rikthimit të votës së lirë te shqiptarët dhe fitoren e opozitës. Potencialet janë të mëdha. Vullneti është i hekurt, ndaj edhe unë zotohem para demokratëve dhe mbarë opozitarëve, se me përkushtim të madh, do të bëjmë gjithçka që të konkretizojmë përcaktimet e këtij kuvendi, në mënyrë që PD të ecë e vendosur dhe të përmbushë misionin e saj”,-tha Berisha./mxh
