Blerton Isufi ka qenë një nga lojtarët më të përfolur të ditëve të fundit. Jo për ndonjë arritje, por për një mashtrim të mesfushorit, në lidhje me ftesën për ndeshjet e qershorit.
Gjithçka nisi pas publikimit të listës së Kombëtares U-21 të Shqipërisë për ndeshjet miqësore, ku emri i lojtarit ishte përfshirë nga trajneri Alban Bushi.
Pas shpalljes së listës, Isufi dha deklarata në media ku bëri të ditur se nuk kishte pranuar të përfaqësonte Shqipërinë dhe se dëshira e tij ishte të luante vetëm për Kosovën. Ai hodhi akuza, se emri ishte përfshirë në listë, pa dëshirën e tij.
Megjithatë, së fundmi janë CNA ka zbuluar komunikimet që paraqesin një tjetër version të ngjarjeve. Në mesazhet e dërguara drejt stafit të Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Isufi shprehte gatishmërinë për t’iu bashkuar skuadrës. Në komunikimin e tij, futbollisti argumentonte se dëshironte të ishte pjesë e ekipit, por se pengesa kryesore ishte klubi i tij, Molde, i cili sipas tij nuk po e lejonte të largohej në atë periudhë për shkak të ndeshjeve të rëndësishme të kampionatit.
“Unë kam qenë shumë i gatshëm dhe me shumë dëshirë për të ardhur dhe për të përfaqësuar shtetin tim, Shqipërinë… Për fat të keq, klubi nuk po ma jep lejen, pasi kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme në këtë periudhë. Jam shumë i zhgënjyer nga ky vendim i klubit… Megjithatë, unë jam gjithmonë në dispozicionin tuaj dhe mezi pres herën tjetër për të ardhur”, thuhet në mesazhin e Isufit drejtuar stafit të Shqipërisë U-21./mxh
