Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka zhvilluar një takim me Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Hoxha shkruan në një reagim në “X” se në fokus të bisedimeve ishte thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
Gjatë takimit, bëhet me dije se u theksua nevoja për të çuar përpara projekte me rëndësi strategjike dhe kombëtare, duke filluar nga hekurudha kuq e zi dhe zhvillimi i korridoreve energjetike e të transportit.
Postimi i plotë:
Prishtinë – Takim i hapur, vëllazëror dhe po aq përmbajtësor me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti.
Analizuam ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe u ndalëm veçanërisht te nevoja për ndërmarrjen e hapave konkretë dhe praktikë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Vlerësuam se niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve politike duhet të shoqërohet me rezultate edhe më të prekshme në fusha me interes të drejtpërdrejtë për qytetarët tanë.
Në këtë kuadër, theksuam nevojën për të çuar përpara projekte me rëndësi strategjike dhe kombëtare, duke filluar nga hekurudha Kuq e Zi dhe zhvillimi i korridoreve energjetike e të transportit, deri te forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në arsim, kulturë, shkencë, siguri, mbrojtje dhe diplomaci.
Riafirmova mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të Shqipërisë për Republikën e Kosovës në çdo aspekt që kontribuon në forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, institucioneve dhe subjektivitetit të saj ndërkombëtar.
Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë krah Kosovës, me përkushtim, solidaritet dhe vizion afatgjatë, si në planin dypalësh ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, duke mbështetur përpjekjet e saj për konsolidimin e mëtejshëm të shtetit në interesin e drejtpërdrejtë të të gjithë qytetarëve të saj, një investim i rëndësishëm për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit në mbarë rajonin e BallkanitPerëndimor./mxh
