“Negociatat po ecin ngadalë, kërkojnë kohë. Nuk kam nxitim. Do të doja të thosha se kam nxitim, sepse çmimet e karburantit mund të dyfishohen, por kur nxitohesh, nuk arrin një marrëveshje të mirë.”
Kështu deklaroi presidenti amerikan Donald Trump në një intervistë për Fox News me gruan e të birit, Lara Trump, duke siguruar se Irani nuk do të ketë armë bërthamore dhe do të duhet të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Negociatat po ecin “ngadalë, por në mënyrë të pandalshme. Besoj se po arrijmë atë që duam. Dhe nëse nuk arrijmë atë që duam, atëherë çështja do të përfundojë në një mënyrë tjetër. E gjithë kjo është interesante”, shtoi Trump në intervistën me bashkëshorten e djalit të tij Eric, e realizuar të enjten sipas axhendës së publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti amerikan vuri në dukje gjithashtu se një marrëveshje që “nuk do të ishte e favorshme për ne, do të përbënte vijën që nuk duhet kaluar. Kjo është pikërisht situata që po zhvillohet tani. Ky është profesioni im: unë negocioj. Edhe ata negociojnë; janë negociatorë shumë të shpejtë dhe dinakë, por në fund jemi ne që i kemi të gjitha letrat në dorë, sepse i kemi mposhtur ushtarakisht”, tha Trump.
Më pas ai kujtoi ato që i konsideron suksese ushtarake të Shteteve të Bashkuara: “Shikoni: marina e tyre nuk ekziston më. Kishin 159 anije dhe tani secila prej tyre ndodhet në fund të detit. Të gjitha. Madje kemi bërë fotografi teksa fundoseshin, qindra anije që po zhyteshin. Marina e tyre është shkatërruar 100%. Forcat e tyre ajrore janë shkatërruar 100%. Sa i përket forcave tokësore, i kemi lënë pothuajse të paprekura, sepse mendojmë se ushtria e tyre është, në një masë të caktuar, pjesërisht e moderuar.”
Trump shtoi se: “Megjithatë, ka figura të tjera brenda tyre që nuk janë aspak të moderuara. Me ato jemi marrë ne. Kemi eliminuar forma të ndryshme të udhëheqjes, ndërsa kemi lënë të paprekur strukturën e mirëfilltë ushtarake. Shumë njerëz do të habiteshin nga ky detaj, sepse në të kaluarën janë bërë gabime në luftëra ku është shkatërruar gjithçka pa dallim.”
Ai e mbylli deklaratën duke theksuar se strategjia e tij ka qenë të godasë drejtuesit, jo të shkatërrojë tërësisht institucionet ushtarake./mxh
