Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë kërkesën e deputetëve të opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar lidhur me çështjen “McGonigal”, ndërsa ka pranuar njëzëri kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit 2025.
Vendimi u shpall më 1 qershor, pas shqyrtimit të kërkesës së 38 deputetëve të opozitës, të cilët kundërshtuan refuzimin e Kuvendit për ngritjen e dy komisioneve hetimore.
Sa i përket çështjes “McGonigal”, Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë votash të mos pranojë kërkesën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave dhe për shfuqizimin e vendimit të Kuvendit që kishte refuzuar ngritjen e komisionit. Sipas arsyetimit të gjykatës, nuk u arrit shumica e nevojshme për të vlerësuar ekzistencën e kriterit kushtetues të “çështjes së veçantë”, si dhe të indicieve të qarta që do të justifikonin ngritjen e komisionit hetimor.
“Gjykata nuk arriti shumicën e kërkuar nga ligji për të vlerësuar kriterin kushtetues ‘çështje e veçantë’, për shkak të qasjeve të ndryshme në arsyetim, sipas të cilave ky komision nuk duhej ngritur për shkaqe që lidheshin me indiciet apo me parimin e ndarjes së pushteteve”, thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese.
Kërkesa për komisionin hetimor mbi çështjen “McGonigal” ishte depozituar fillimisht në vitin 2023 nga opozita, pas publikimit të akuzave ndaj ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili u përfshi në hetime dhe procedime penale në Shtetet e Bashkuara. Opozita kërkonte verifikimin e rolit të zyrtarëve shqiptarë dhe të marrëdhënieve të tyre me McGonigal, duke përfshirë edhe pretendimet për favore apo përfitime me ndikim politik.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka pranuar njëzëri kërkesën e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor që lidhet me zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Gjykata vlerësoi se vendimi i Kuvendit për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe për verifikimin e përdorimit të burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale”, ishte në kundërshtim me të drejtën kushtetuese të pakicës parlamentare.
Për këtë arsye, Kushtetuesja vendosi shfuqizimin e vendimit të Kuvendit dhe detyrimin e tij për të ngritur komisionin hetimor.
Vendimi i hap rrugën shqyrtimit parlamentar të pretendimeve të opozitës mbi administrimin e procesit zgjedhor dhe përdorimin e mundshëm të burimeve shtetërore gjatë fushatës dhe zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025.
Ky vendim përbën një fitore të pjesshme për opozitën, e cila nuk arriti të sigurojë ngritjen e komisionit për çështjen “McGonigal”, por fitoi të drejtën për hetim parlamentar mbi procesin zgjedhor të 11 majit 2025./a.d
