Last Updated on 02/06/2026 by Kesjana
Deputetja socialiste Besa Spaho ka mbrojtur në Kuvend projektin e zhvillimit në zonën e Zvernecit, duke e cilësuar atë si një proces tërësisht të rregullt dhe një investim që i sjell vlerë Shqipërisë.
Gjatë fjalës së saj në Parlament, Spaho ngriti pyetjen se kush mund të pengojë një pronar të shesë apo të zhvillojë pronën e tij private, duke theksuar se e drejta e pronës është një nga të drejtat themelore të garantuara nga Kushtetuta.
“Kush mund ta ndalojë një pronar toke të shesë apo të zhvillojë pronën e tij? Kush mund ta ndalojë zhvillimin e projekteve në prona private?”, u shpreh deputetja socialiste.
Ajo u bëri thirrje deputetëve të të dy krahëve politikë që të mos mbështesin iniciativa që, sipas saj, bien ndesh me të drejtën kushtetuese të pronës.
“Askush në këtë Parlament, majtas apo djathtas, nuk duhet të përkrahë iniciativa të tilla, ku prona, e drejtë themelore e mbrojtur nga Kushtetuta, të jetë peng i pretendimeve të individëve të ndryshëm”, deklaroi Spaho.
Duke iu drejtuar opozitës, deputetja socialiste kërkoi që debati për projektin të mos përdoret për të penguar zhvillimin dhe investimet, duke paralajmëruar se krijimi i precedentëve të tillë mund të cenojë sigurinë juridike të pronës private.
“Mos ia bëni këtë Shqipërisë”, tha ajo, duke shtuar se e drejta e pronës është një parim themelor i shtetit ligjor dhe duhet të mbrohet pa asnjë ekuivok.
Debati mbi projektin e Zvernecit ka ngjallur diskutime të shumta politike dhe publike, ndërsa mazhoranca e konsideron atë një mundësi zhvillimi për zonën, ndërsa kundërshtarët e projektit kanë ngritur shqetësime të ndryshme lidhur me ndikimin e tij./a.d
