Last Updated on 02/06/2026 by Anisa
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, priti në Tiranë Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në kuadër të një turi ballkanik të këtij të fundit. Pas takimit bilateral, dy zyrtarët mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp ku folën për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Rama e falënderoi Costa-n për angazhimin e drejtpërdrejtë në mbështetjen e rrugëtimit europian të Shqipërisë që nga nisja e negociatave me BE. Ai theksoi se vendi nuk ka çështje thelbësore që e ndajnë nga Bashkimi Evropian, por vetëm sfida të përbashkëta.
“Ne kemi dakordësi 100 për qind për të gjitha çështjet me BE,” u shpreh Rama, duke shtuar se procesi i integrimit nuk lidhet vetëm me anëtarësimin formal, por me përmirësimin e institucioneve dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Sipas kryeministrit, faza aktuale kërkon zbatimin e reformave të miratuara dhe rritjen e komunikimit me publikun mbi sfidat e procesit të integrimit. Ai vlerësoi gjithashtu sugjerimet e Costa-s për rritjen e transparencës dhe informimit të qytetarëve.
Nga ana e tij, António Costa vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një domosdoshmëri gjeostrategjike në kushtet aktuale të pasigurisë globale.
“Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm dhe ka kaluar në një fazë të re, atë të zbatimit të reformave,” deklaroi Costa, duke nënvizuar nevojën për institucione demokratike të forta dhe luftë më efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai shtoi gjithashtu se BE po mbështet Shqipërinë përmes nismave dhe politikave konkrete, si qasja në sistemin SEPA dhe projekte të ndryshme infrastrukturore dhe zhvillimore.
Costa theksoi gjithashtu dimensionin strategjik të zgjerimit të BE-së, duke e konsideruar atë një garanci për paqe dhe stabilitet në rajon.
Në fund të deklaratës, ai përmendi edhe marrëdhënien personale me kryeministrin Rama, duke përmendur interesin e tij për autorë shqiptarë si Lea Ypi dhe Ismail Kadare, si dhe traditën e shkëmbimit të librave mes tyre.
Takimi në Tiranë vjen pas vizitës së Costa-s në Bosnjë dhe Hercegovinë, si pjesë e një turi të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor./a.d
