Shtatë persona janë vrarë dhe 11 të tjerë janë plagosur në një sulm me dron ndaj një autobusi pasagjerësh që udhëtonte nëpër një pjesë të Ukrainës të kontrolluar nga Rusia, tha një zyrtar.
Denis Pushilin, udhëheqësi i instaluar nga Kremlini i rajonit lindor të Donetskut në Ukrainë, tha se autobusi u godit në orët e para të së mërkurës, ndërsa po udhëtonte midis Moskës dhe Simferopol, në Krimenë e pushtuar nga Rusia.
Rusia rrëzoi më shumë se 350 dronë gjatë natës, sipas zyrtarëve rusë.
Sulmi me dron vjen një ditë pas një sulmi masiv rus në qytete anembanë Ukrainës, ku u vranë të paktën 22 persona, përfshirë disa gra dhe fëmijë.
Të paktën 50 dronë u rrëzuan mbi rajonin e Leningradit në veriperëndim të Moskës, sipas guvernatorit rajonal Alexander Drozdenko.
Rajoni përfshin qytetin e Shën Petersburgut, i cili nga e mërkura do të presë Forumin Ekonomik Ndërkombëtar vjetor, një ngjarje e projektuar për t’ia shfaqur Rusinë botës.
Organizatorët thonë se do të marrin pjesë delegacione nga më shumë se 130 vende dhe territore, përfshirë zëvendëspresidentin kinez Han Zheng dhe presidentët e Uzbekistanit dhe Tanzanisë./kb
