Last Updated on 03/06/2026 by EL
Vendimi i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për të kufizuar pagesat me para në dorë (cash) deri në vlerën 2 mijë euro, po konsiderohet si një lëvizje strategjike për ekonominë e vendit. Sipas këtij rregulli të ri, çdo transaksion mes bizneseve dhe individëve që e kalon këtë shumë, duhet të kryhet detyrimisht përmes sistemit bankar apo platformave elektronike.
Për të zbërthyer efektet e kësaj mase, ka folur eksperti i njohur i ekonomisë në Kosovë, Jakup Bellaqa, në “Box to Box” në Scan TV, ku ka ndarë analizën e tij mbi impaktin që ky vendim do të ketë në tregun vendas.
Eksperti Jakup Bellaqa e ka vlerësuar pozitivisht këtë iniciativë, duke theksuar se orientimi drejt transaksioneve elektronike është një shtyllë e rëndësishme në formalizimin e ekonomisë. Sipas tij, ky kufizim rrit transparencën në treg dhe i jep administratës tatimore mjete më efektive për të monitoruar qarkullimin e parasë.
“Kufizimi i pagesave cash dhe kalimi te ato elektronike ndihmon drejtpërdrejt në formalizimin e ekonomisë. Kjo masë rrit transparencën dhe ua lehtëson punën organeve tatimore për të kryer kontrolle administrative më të sakta, gjë që ndikon pozitivisht në uljen e informalitetit dhe në rritjen e mbledhjes së të ardhurave,” u shpreh Bellaqa.
Edhe pse e konsideron një hap të menduar mirë dhe të domosdoshëm, eksperti rreshtohet krah zërave që mendojnë se kjo paketë nuk duhet të mbetet e izoluar. Për të pasur një sukses afatgjatë dhe një transformim rrënjësor, Bellaqa nënvizoi se ky proces duhet të shoqërohet edhe me politika të tjera mbështetëse.
Sidoqoftë, ai shtoi se ky vendim shënon një kthesë pozitive për Kosovën, duke e shtyrë ekonominë drejt një epoke të re të digjitalizimit dhe modernizimit të sistemeve të pagesave.
Ky hap pritet të ndryshojë sjelljen e bizneseve karshi detyrimeve ligjore dhe të krijojë një mjedis më të barabartë konkurrence në tregun kosovar./ET
