Kryetarët e bashkive të Qarkut të Dibrës janë shprehur kundër çdo ndryshimi të mundshëm të hartës territoriale gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale në Kuvend. Sipas tyre, ndërhyrjet në kufijtë aktualë administrativë do të rrezikonin funksionimin e shërbimeve publike për qytetarët.
Kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola, theksoi se territori aktual i bashkisë mundëson mbulim efikas të shërbimeve, pavarësisht distancave të mëdha në terren.
Ajo u shpreh se Bashkia Klos, me një sipërfaqe prej 357 km², është e pozicionuar në mënyrë qendrore dhe mundëson akses të balancuar për të gjitha zonat. Sipas saj, ndryshimi i statusit apo territorit nuk është i nevojshëm pasi shërbimet aktualisht mbulohen në mënyrë relativisht efikase.
Edhe kryetari i Bashkisë Dibër, Rrahim Spahiu, deklaroi se struktura ekzistuese administrative garanton mbulim të plotë të territorit me shërbime publike, por shtoi se numri i njësive administrative duhet rishikuar.
“Dibra ka 15 njësi administrative dhe mendoj se ky numër duhet të reduktohet,” u shpreh ai.
Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, paralajmëroi se zgjerimi i bashkive do të vështirësonte ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, duke kërkuar ruajtjen e statusit aktual të bashkisë.
Sipas saj, çdo zgjerim territorial do të rrezikonte efikasitetin e shërbimeve në terren.
Edhe kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni, u shpreh se modeli aktual i administrimit territorial ka rezultuar funksional dhe i zbatueshëm në praktikë.
Debati për reformën territoriale pritet të vijojë në Kuvend, ndërsa bashkitë e Qarku i Dibrës mbeten të unifikuara në qëndrimin kundër ndryshimeve të kufijve aktualë./Mxh
