Last Updated on 05/06/2026 by Kesjana
Detaje të reja kanë dalë në dritë këtë të premte, 5 qershor, nga hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Lozhan të Maliqit, ku mbeti i vrarë efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa u plagos kolegu i tij, Edison Adri, gjatë operacionit për kapjen e 43-vjeçarit V.B.
Gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, duke iu referuar burimeve hetimore, raporton se gjatë kontrollit të banesës së të shumëkërkuarit, hetuesit kanë gjetur jo vetëm kallashnikovin që dyshohet se u përdor në sulmin ndaj forcave të policisë, por edhe sasi të konsiderueshme municioni luftarak.
Të gjitha pajisjet janë dërguar për ekspertim me qëllim përcaktimin e përdorimit të tyre dhe rolit që mund të kenë pasur në aktivitetin e 43-vjeçarit.
Vetëm një ditë para ngjarjes, më 3 qershor, V.B ishte kallëzuar nga një bari, të cilin e kishte punësuar prej rreth dy javësh në stallat e tij. Sipas denoncimit, 43-vjeçari e kishte kërcënuar me jetë dhe kishte refuzuar t’i jepte pagesën për punën e kryer.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu elementë të zbulojnë se i dyshuari ka patur një të kaluar problematike edhe më herët. Në vitin 2004, kur ishte 21 vjeç, Braçellari ishte paraqitur për të kryer shërbimin ushtarak në Forcat e Armatosura, por kishte qëndruar vetëm tre ditë dhe më pas nuk ishte rikthyer në repart. Edhe për këtë rast ka pasur një procedim të hapur ndaj tij.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes që tronditi opinionin publik dhe i mori jetën efektivit Enea Mekolli gjatë ushtrimit të detyrës./kb
