Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, nuk janë konstatuar shkelje në zbatimin e procedurave dhe protokolleve nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari.
Ngjarja ndodhi pasi Braçellari, në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit, hapi zjarr ndaj efektivëve të policisë, duke shkaktuar viktimën dhe plagosjen e rëndë të një tjetër punonjësi policie.
Gjatë këqyrjes së vendngjarjes, autoritetet kanë gjetur edhe një radio policie, ndërsa raportohet se efektivët kanë fikur radiot e tyre gjatë operacionit për të shmangur interferencën me pajisjen që dyshohet se përdorej nga autori.
Po ashtu, nga kontrollet nuk është gjetur municion shtesë, çka ngre dyshime se i dyshuari ka përdorur të gjithë armatimin që kishte në dispozicion gjatë përplasjes me policinë.
Një tjetër element i hetimit lidhet me moskërkimin e forcave speciale RENEA gjatë operacionit. Sipas grupit hetimor, kjo nuk përbën shkelje procedurale, pasi kërkesa për ndërhyrjen e RENEA-s vlerësohet rast pas rasti dhe nuk është detyrim në çdo operacion policor.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe dinamikën e saj./a.d
