Last Updated on 05/06/2026 by Kesjana
Instituti Harry Fultz ka njoftuar ndarjen nga jeta të drejtoreshës së tij, Brikena Baxhaku, një figurë e njohur e arsimit profesional në vend.
Përmes një mesazhi prekës, institucioni vlerëson kontributin shumëvjeçar të Baxhakut në drejtimin dhe zhvillimin e shkollës, duke theksuar përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjësinë me të cilën ajo i shërbeu komunitetit arsimor.
“Prej shumë vitesh, znj. Baxhaku i shërbeu me përkushtim, profesionalizëm dhe përgjegjësi institucionit tonë, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin e brezave të tërë dhe në zhvillimin e shkollës sonë”, thuhet në njoftimin e Institutit “Harry Fultz”.
Stafi, nxënësit dhe komuniteti i shkollës kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e saj, ndërsa kanë vlerësuar trashëgiminë profesionale dhe njerëzore që ajo lë pas.
“Kujtimi dhe kontributi i saj do të mbeten përherë pjesë e historisë së institucionit tonë”, thuhet më tej në mesazhin e lamtumirës.
Brikena Baxhaku do të kujtohet si një drejtuese e përkushtuar dhe një edukatore që la gjurmë të rëndësishme në formimin e brezave të rinj./kb
