Juristi Kreshnik Spahiu ka rikthyer në vëmendje historinë e projektit të madh turistik në Gjirin e Lalzit, duke e cilësuar si një rast ku Shqipëria ka humbur investime të huaja për shkak të kriminalitetit dhe mungesës së sigurisë.
“Ky është investitori libanez që u rrah barbarisht në Lalëz dhe më pas zgjodhi të largohej. Sot ai investon miliarda euro në Mal të Zi, duke krijuar zhvillim, vende pune dhe mirëqenie për qytetarët e atij vendi. Miliarda euro i larguam por Gjirin e Lalzit nuk e shpëtuam. Politikanët dhe bandat shqiptare e kanë shqyer coptuar dhe betonuar pa kriter. Sot askush nuk kujtohet për pishat dhe pyjet e prera në Gjirin e Lalzit por as për mega projektin gjigand. Nga Saranda deri në Velipojë nuk kemi lejuar asnjë investitor të huaj. Të gjithë i kemi larguar”, shkruan Spahiu.
Deklarata i referohet projektit të kompanisë Omnix Albania, në pronësi të miliarderit nga Katari, Jamal Abdulsalam Abu Issa, i cili planifikonte një investim gjigand turistik në zonën e Lalzit.
Ngjarja që shoqëroi këtë projekt ndodhi në shtator 2016, kur administratori i kompanisë, biznesmeni libanezo-amerikan Faadi Mitri, u dhunua gjatë një sulmi të organizuar në afërsi të Laknasit, ndërsa po udhëtonte drejt aeroportit të Rinasit.
Sipas hetimeve, automjeti i tij u ndoq nga një tjetër fuoristradë dhe më pas u përplas, duke sjellë daljen e tre personave që e goditën me sende të forta përpara se të largoheshin.
Mitri ka deklaruar se sulmi kishte qëllim presionin për t’u tërhequr nga investimi në Gjirin e Lalzit. Ai ka dorëzuar edhe materiale dhe foto pranë autoriteteve, duke pretenduar lidhje të personave të përfshirë me konfliktet në zonë.
Pas këtyre zhvillimeve, në mars 2017, investitori u largua përfundimisht nga Shqipëria dhe kompania u tërhoq nga projekti.
Plani parashikonte një resort luksoz në rreth 330 mijë metra katrorë, me një investim rreth 1.2 miliardë dollarë, 5 hotele, qindra apartamente, akuapark dhe mbi 1400 vende pune të premtuara.
Sot, ky projekt mbetet një nga rastet më të debatueshme për dështimin e investimeve të huaja në bregdetin shqiptar.
Në këtë linjë debati, rasti i Gjirit të Lalzit shihet shpesh në diskutimet publike si paralel me polemikat dhe protestat për projektin e ri turistik në Zvërnec, ku përplasen sërish argumentet për zhvillim ekonomik nga njëra anë dhe shqetësimet për ndikimin në mjedis, territor dhe komunitet nga ana tjetër./fjala.al-A.d
