Last Updated on 05/06/2026 by EL
Ndërsa familjarët, kolegët dhe qytetarët i dhanë lamtumirën e fundit efektivit të forcës “Shqiponja”, Enea Mekolli, hetimet janë përqendruar tek mënyra se si u organizua operacioni policor në Lozhan të Maliqit, i cili përfundoi me humbjen e jetës së efektivit dhe plagosjen e kolegut të tij.
Prokuroria e Korçës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kanë nisur verifikime dhe hetime të detajuara për të kuptuar nëse operacioni është planifikuar sipas procedurave dhe nëse rrezikshmëria e personit që do të arrestohej ishte vlerësuar në mënyrën e duhur. Hetimi është shtrirë jo vetëm në Policinë e Korçës, por edhe në strukturat përgjegjëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, konkretisht në Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe Departamentin e Policisë Kriminale, të cilët sipas rregullores policore kanë dijeni në zhvillimin e operacioneve të rëndësishme.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se vijon marrja në pyetje e të gjithë personave që kanë pasur dijeni për operacionin, ndërsa po analizohet i gjithë zinxhiri komandues, nga planifikimi deri tek ekzekutimi në terren.
Një nga pikëpyetjet kryesore lidhet me faktin se përse në operacion nuk morën pjesë struktura të specializuara si RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë apo Operacionalja, duke pasur parasysh se Violand Braçellari konsiderohej një person me rrezikshmëri të lartë dhe prej vitesh i shpëtonte arrestimit.
Hetuesit po analizojnë gjithashtu nëse numri i efektivëve të angazhuar në operacion ishte i mjaftueshëm. Në terren kanë qenë të angazhuar relativisht pak efektivë për një objektiv të tillë, ndërsa gjatë lëvizjes në zonën e thellë malore një prej automjeteve të policisë ka pësuar defekt për shkak të terrenit të vështirë dhe disa efektivë ka ngecur në gjysmë të rrugës.
Një tjetër aspekt që po ngre pikëpyetje lidhet me koordinimin institucional. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hita, deklaroi publikisht se nuk kishte pasur dijeni për operacionin. Ky fakt ngre nevojën për të verifikuar nëse janë respektuar procedurat e informimit dhe raportimit brenda hierarkisë së Policisë së Shtetit, si dhe nëse ka funksionuar si duhet bashkëpunimi mes strukturave vendore dhe Drejtorisë së Përgjithshme.
Po ashtu po shqyrtohet nëse për një objektiv të tillë duhej hartuar një plan më rigoroz operacional, me përfshirjen e më shumë forcave të specializuara dhe përdorimin e mjeteve teknologjike si dronët, pajisjet e vëzhgimit dhe instrumente të tjera që do të mund të minimizonin rrezikun për efektivët në terren.
Pikërisht këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje hetuesit, a u vlerësua siç duhet rreziku që paraqiste Violand Braçellari, a ishte operacioni i dimensionuar sipas nivelit të kërcënimit dhe a funksionoi zinxhiri komandues sipas standardeve të kërkuara. Përgjigjet e këtyre pyetjeve pritet të përcaktojnë edhe përgjegjësitë për operacionin tragjik që i kushtoi jetën efektivit Enea Mekolli gjatë kryerjes së detyrës./et
