Pas konfirmimit të përballjes mes Kristian Prengës dhe Anthony Joshua-s më 25 korrik, një tjetër duel i përmasave të mëdha po projektohet për boksierët shqiptarë në arenën ndërkombëtare.
Boksieri i pamposhtur i peshave të rënda, Nelson Hysa, ka arritur marrëveshjen për t’u ndeshur në ring me ish-kampionin e botës, britanikun Tyson Fury.
Detajet rreth datës apo lokacionit të saktë të kësaj sfide nuk janë bërë ende publike, por palët kanë rënë dakord për zhvillimin e këtij takimi të rëndësishëm në peshat e rënda.
Hysa, 41 vjeç, vjen në këtë përballje me një rekord mbresëlënës, ku ka siguruar fitoren me nokaut në 22 nga 24 duelet e tij të zhvilluara në boksin profesionist.
Nga ana tjetër, 37-vjeçari Tyson Fury, i cili renditet aktualisht në vendin e katërt në ranglistën botërore të peshave të rënda, kërkon të rikthehet drejt majave pas dy humbjeve të pësuara përgjatë karrierës së tij kundër kampionit absolut Oleksandr Usyk.
Për boksierin shqiptar, ky duel përfaqëson mundësinë më të madhe në karrierë për të matur forcat me një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror./mxh
