Gara për presidencën e Real Madridit po shoqërohet edhe me premtime të rëndësishme në merkaton e verës. Dy kandidatët, Florentino Perez dhe Enrique Riquelme, po paraqesin projektet e tyre për të bindur anëtarët e klubit, ndërsa vëmendja është përqendruar te lëvizjet e mundshme që mund të realizohen në muajt e ardhshëm.
Deklarata që ka tërhequr më shumë vëmendje ka ardhur nga Florentino Perez. Presidenti aktual i Real Madridit ka bërë të ditur se është gati të paraqesë një ofertë rekord për një futbollist të nivelit të lartë që aktivizohet në Ligën e Kampioneve. Sipas tij, shifra do të jetë të paktën 150 milionë euro dhe mund të përbëjë investimin më të madh në historinë e klubit madrilen për një transferim.
Perez ka dhënë edhe disa detaje mbi profilin e lojtarit që synon të afrojë. Ai ka sqaruar se bëhet fjalë për një futbollist që luan mes mesfushës dhe sulmit dhe që konsiderohet një element me ndikim të madh në fazën ofensive. Në të njëjtën kohë, ai ka përjashtuar disa emra të përfolur në media, duke deklaruar se nuk bëhet fjalë për Erling Haaland, Jeremy Doku apo Michael Olise.
Pas këtyre deklaratave kanë nisur menjëherë spekulimet për identitetin e lojtarit. Në mesin e emrave më të përmendur janë Vitinha dhe Joao Neves, dy mesfushorët portugezë që kanë spikatur në nivel të lartë europian, si edhe sulmuesi argjentinas Julian Alvarez. Të gjithë këta futbollistë përmbushin karakteristikat e përshkruara nga Perez dhe konsiderohen pjesë e skuadrave që garojnë rregullisht në kompeticionet më të rëndësishme të kontinentit.
Megjithatë, raportime të ndryshme nga Anglia tregojnë një tjetër pistë. Sipas tyre, objektivi kryesor i Real Madridit është Michael Olise. Futbollisti francez i Bayern Munich vlerësohet si një nga talentet më të rëndësishme në futbollin europian dhe emri i tij vazhdon të lidhet me klubin madrilen, pavarësisht deklaratave publike që mohojnë interesimin./mxh
