Last Updated on 07/06/2026 by Monika
Palermo u kthye për tre ditë në qendrën e vëmendjes së mediave ndërkombëtare, teksa ylli i muzikës pop, Dua Lipa, dhe aktori britanik Callum Turner festuan martesën e tyre me një ceremoni madhështore në zemër të Siçilisë.
Qindra të ftuar nga bota e artit, modës dhe muzikës mbushën ambientet e vilës historike Valguarnera në Palermo. Ceremonia u zhvillua në kopshtet monumentale të pallatit të shekullit të 18-të, të dekoruara sipas traditave siçiliane me bajame të ëmbla, shami të qëndisura me dorë dhe aksesorë të punuar artizanalë.
Mes të ftuarve të njohur ishin këngëtarja Charli XCX dhe stilistja e famshme Donatella Versace. Pas shkëmbimit të betimeve, legjenda e muzikës Elton John interpretoi një version special të këngës së tij të njohur, “Your Song”, kushtuar çiftit.
Festimet vazhduan me një darkë të përgatitur nga shefa kuzhine me yje Michelin dhe më pas me performancat e DJ-ve të njohur ndërkombëtarë, mes tyre Carl Cox, Martin Garrix, David Guetta dhe Peggy Gou. Mbrëmja u mbyll me një spektakël fishekzjarrësh që u pa në të gjithë qytetin.
Një ditë më parë, çifti organizoi një festë në qendër të Palermos, duke transformuar një nga sheshet historike të qytetit në një librari të stilit vintage, si simbol i historisë së tyre të dashurisë. Të ftuarit u shoqëruan nga banda muzikore tradicionale dhe patën mundësinë të vizitonin ambiente kulturore të qytetit.
Martesa vjen vetëm pak ditë pasi Dua Lipa dhe Callum Turner kurorëzuan zyrtarisht lidhjen e tyre në një ceremoni civile në Londër.
Sipas mediave italiane, festimet pritet të kenë sjellë një ndikim ekonomik prej qindra milionë eurosh për zonën e Palermos. Megjithatë, ngjarja nuk kaloi pa polemika, pasi disa grupe protestuesish kundërshtuan organizimin e aktiviteteve luksoze në hapësira publike.
Pavarësisht kritikave, autoritetet lokale e cilësuan dasmën si një promovim të rëndësishëm ndërkombëtar për qytetin e Palermos dhe për turizmin në Siçili./mxh
