Last Updated on 07/06/2026 by Monika
Psikologe Sonila Gruda
Zhurmë, zhurmë, sa zhurmë, shumë zhurmë”, thoshte dikur një këngë e njohur e West Side Family dhe Kryeministrit tonë të sotëm.
Sot, ndërsa qytetarët ecin në bulevardet e qyteteve shqiptare dhe jo vetëm, ka ditë që hasin pikërisht këtë zhurmë ushtuese, një tingull që të futet brenda në trup si korrent elektrik, të përshkon çdo qelizë. Protestat po mbushin rrugët dhe sheshet e Shqipërisë.
Ashtu si dy shpatulla që përplasen padashje në një turmë, kjo revoltë po tërheq vëmendjen e të gjithëve. Është një përplasje që fillimisht të acaron. Në syrin e tjetrit, secili shihet si armik, si i shitur. Aty gjen revoltuesin që dikur vetë e votoi qeverinë kundrejt së cilës sot po përleshet; por gjen edhe kalimtarin e rastësishëm, atë që qëndron aty si mbështetës i idealeve që nuk fituan me vota, ose thjesht si një nihilist mosbesues.
Për një vëzhgues të jashtëm, revolta mund të ketë imazhin e thjeshtë të një reagimi kundër projekteve turistike private. Mund të duket si një luftë e kotë për ekosistemin e një ishulli, apo si një revoltë ndaj mospërfilljes së një vendimi qeveritar nga ana e atyre që vetë e zgjodhën atë pushtet, duke harruar se ai nuk erdhi si Mesia.
Por kush zgjedh t’i shpërfillë këto protesta, harron të përdorë lenten e zmadhimit. Po ta vështronte botën përmes saj, do të kuptonte se kjo kryengritje ka rrënjë shumë më të thella. Ajo nuk fillon dhe as nuk mbaron në Sazan, në Zvërnec, në Nartë apo në Vlorë.
Ajo fillon aty ku nis çdo histori: tek “Na ishte një herë…”, ku si fabul qëndron kujtesa kolektive që shqiptarët e mbartin në shpirt prej shekujsh.
Keqmenduesit hipotizojnë se ky revolucion po bëhet vetëm për shkak të një resorti dhe protestuesit janë etiketuar si komunistë, nazistë e plot emërtime të tjera. Por një popull nuk ngrihet për hiçe të tilla; ai derdhet në rrugë atëherë kur ndien se zëri i tij është mbytur në heshtje, kur kupton se shpirti dhe fjala e tij vlejnë më pak se interesat e ethshme të atyre që mbartin pushtetin.
Populli ngrihet e rebelohet kur mbi supe i peshon ajo bindje e zymtë se e ardhmja po thuret në fshehtësi, larg syve të tij, duke e lënë jashtë portave të fatit të vet.
Ajo që dikur quhej “mallkim” apo “fat i shkruar”, sot zbërthehet si traumë transgjeneracionale, një rrëfim i padukshëm se si dëshpërimet dhe plagët e mëdha historike udhëtojnë nëpër breza duke kërkuar rrugën drejt shërimit.
Këto ngjarje nuk transmetohen thjesht përmes gojëdhënave apo tregimeve të gjyshërve; ato gjejnë strehë thellë brenda nesh, të koduara si emocione të pashpjegueshme, si frikëra që s’kanë emër dhe si një thjerrëz e padukshme përmes së cilës syri zgjedh ta shohë, ta interpretojë, por edhe ta sfidojë botën.
Shqipëria është pikërisht ky truall vuajtjesh – një epigraf epigjenetik i jetës sonë brez pas brezi. Një tokë e rrahur nga stuhitë e egra të pushtimeve, e copëtuar nga gjeopolitika, e ngrirë nga izolimi i gjatë, e vrarë nga varfëria dhe e lodhur nga tranzicionet e pafundme e të dhimbshme.
Kohët kanë ndryshuar dhe brezat kanë ndërruar, por disa plagë kanë mbetur të hapura, duke pikuar ende në heshtje brenda psikikës sonë kolektive. Përballë kësaj dhimbjeje shekullore, lekoplasti i harresës nuk mban më; ka ardhur koha që këtë trashëgimi dhimbjeje ta shndërrojmë në një vetëdije çliruese.
Kjo nuk do të thotë se shqiptarët janë të burgosur të së shkuarës. Përkundrazi, do të thotë se e kaluara është një prani e padukshme që ende ecën krahas nesh, duke hedhur dritëhije mbi mënyrën se si e jetojmë dhe e interpretojmë të sotmen.
Prandaj, debati i madh për Sazanin, Zvërnecin, Lagunën e Nartës nuk është thjesht një ekuacion ekonomik apo një shqetësim mjedisor. Për shumë njerëz, ai ishull nuk është vetëm tokë e rrethuar nga uji; ata shohin aty diçka tjetër, një histori të vjetër që rizgjohet.
Është ajo historia e përhershme e një vendi ku vendimet e mëdha dhe fatet e përbashkëta shkruhen nëpër zyra të mbyllura nga një grusht njerëzish, ndërsa shumica ftohet në skenë vetëm për të duartrokitur përfundimin e tragjikomedisë.
Nga kjo pikëpamje, Zvërneci me flamingot e vet shndërrohet në simbolin e fundit të një përplasjeje titanike, në konfliktin e amshuar midis qytetarit dhe ndjenjës mbytëse të pafuqisë.
Ndoshta pikërisht këtu buron magjia dhe dhimbja e protestave të këtij viti, të cilat kanë një përbërje të pazakontë, pothuajse poetike në trishtimin e tyre. Atje nuk ka vetëm zëra dhe flamuj aktivistësh politikë.
Në ato sheshe sheh bashkimin e skajeve të jetës, ku studenti që kërkon të ardhmen ecën krah për krah me pensionistin që mbron të shkuarën. Në këto protesta sheh prindërit që mbajnë për dore fëmijët e tyre, në një përpjekje të fundit për të thyer mallkimin e së kaluarës dhe për t’u thënë se ky vend u përket edhe atyre.
Në ato sheshe, Shqipëria nuk po mbron thjesht një ishull, por po mbron dinjitetin e saj.
Sheshet e Shqipërisë së vitit 2026 po shndërrohen në një mozaik njerëzor që thyen çdo parashikim: artistë, punëtorë, emigrantë të kthyer përkohësisht dhe qytetarë që nuk kanë protestuar kurrë më parë.
Madje, në mënyrë simbolike, në këto tubime duket sikur kanë hyrë edhe ata që nuk kanë zë për të folur: flamingot, pelikanët, breshkat, peshqit, lagunat dhe pyjet.
Në shikim të parë, ky reagim mund të duket si një çështje thjesht ekologjike, por në të vërtetë bëhet fjalë për një shtresëzim të thellë psikologjik. Kur njerëzit ndiejnë se zëri i tyre mbytet nga mospërfillja, ata shpesh fillojnë të flasin në emër të natyrës, duke i kthyer kafshët dhe mjedisin në pasqyra të vetë ndjesisë së tyre të pambrojtur.
Flamingot, në këtë kontekst, nuk janë më thjesht shpendë shtegtarë; ata shndërrohen në simbolin e brishtësisë dhe të gjithçkaje që nuk mund të mbrojë veten përballë forcës së pushtetit, duke u gdhendur si një nga figurat më të fuqishme të kësaj rezistence.
Për vite me radhë, shqiptarët janë përshkruar si një popull që kalon kohën nëpër kafene, një stereotip i përdorur shpesh për të treguar pasivitet apo mungesë iniciative. Mirëpo sot, shoqëria duket se e ka marrë kafen me vete në shesh, duke mos qëndruar më ulur në pritje, por duke e kthyer atë në një ftesë të hapur për dialog.
“Ulu me ne, na dëgjo, shpjego dhe bisedo”, është thirrja e heshtur që buron nga ky revolucion. Në thelb, çdo protestë është një ftesë e dëshpëruar për komunikim, një urë që tentohet të ngrihet pikërisht aty ku mungesa e dialogut ka lënë zbrazëti.
Kjo përpjekje gjen jehonë edhe në mitet tona të hershme, ku Mbretëresha Teuta mbetet një nga figurat më komplekse të kujtesës historike. Përtej fakteve apo legjendave që e rrethojnë, ajo përfaqëson idenë e një sovraniteti të kërcënuar dhe të një besimi të tradhtuar.
Pa e përmendur drejtpërdrejt, shumë qytetarë sot po përballen me të njëjtën pyetje ekzistenciale që ka përshkuar shekujt: Kush vendos në të vërtetë për Shqipërinë? Kjo është pyetja që qëndron pas çdo pankarte, pas debateve të ndezura, pas zemërimit dhe, mbi të gjitha, pas shpresës.
Përtej revoltës ekziston gjithmonë shpresa. Shqipëria e sotme ngjan me vazon e hapur të Pandorës, nga ku kanë dalë në sipërfaqe të gjitha plagët e grumbulluara: korrupsioni, varfëria, emigracioni, pensionet e ulëta, pasiguria dhe mosbesimi.
Megjithatë, ashtu si në mitologjinë greke ku shpresa mbeti në fund si dritë shpëtimi, mes këtyre vështirësive po lind dëshira e patjetërsueshme për dinjitet.
Dinjiteti nuk është një luks apo një privilegj i rezervuar për pak njerëz, por nevojë themelore e çdo individi dhe e çdo populli për t’u ndier i respektuar.
Prandaj, këto protesta nuk mund të kuptohen thjesht si një reagim kundër një projekti apo një qeverie të caktuar. Ato janë një kryengritje shpirtërore kundër ndjesisë së përhershme se të tjerët vendosin dhe qytetari vetëm duhet të përshtatet.
Kjo që po shohim është një kërkesë e fuqishme për pjesëmarrje, për respekt dhe për dinjitet, sepse ky vend nuk po kërkon vetëm të mbrojë një ishull, një lagunë, një “rezervat natyror të menaxhuar” apo një “peizazh të mbrojtur”, por po përpiqet të rifitojë të drejtën legjitime për të qenë autor i historisë së vet.
