Last Updated on 09/06/2026 by Anisa
Ndërsa vala e protestave dhe polemikave ka marrë përmasa ndërkombëtare, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur median prestigjoze Al Jazeera për të thyer heshtjen lidhur me projektin gjigant turistik që planifikohet të ndërtohet në Zvërnec. Pavarësisht nëntë ditëve radhazi protestash dhe një presioni në rritje nga opinioni publik dhe aktivistët, kreu i qeverisë u shfaq i vendosur për të ecur përpara me projektin miliarda dollarësh të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke e cilësuar atë si një mundësi të rëndësishme investimi dhe një bekim për vendin.
Në një intervistë direkte nga zyra e tij, Rama hodhi poshtë me forcë të gjitha akuzat se ekzekutivi po shet pasuritë publike apo po “fal” vendin tek investitorët e huaj. Ai sqaroi se i gjithë reagimi dhe polemika e madhe që ka qarkulluar në mbarë botën bazohet mbi hipoteza të rreme, pasi në të vërtetë bëhet fjalë për një pronë tërësisht private. Sipas numrit një të kabinetit, ky zhvillim është thjesht një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, ku qeveria shqiptare nuk ka pasur asnjë rol dhe nuk bëhet fjalë në asnjë moment për dhënie të tokës publike.
“Sa i përket projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe polemikë në mbarë botën, bëhet fjalë për pronë private. Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep duke e shitur vendin. Është pronë private. Është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, në të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë rol”.
Nga ana tjetër, vëmendja e mediave të huaja mbetet e lartë, teksa ato vazhdojnë të raportojnë mbi tubimet e ditëve të fundit në Shqipëri. Ndërsa protestuesit dhe rrjetet e aktivistëve ngrenë shqetësime mbi transparencën dhe impaktin e resorteve të luksit, mesazhi i kryeministrit për audiencën ndërkombëtare ka qenë i prerë: projekti i luksit do të realizohet, pasi synon ta kthejë zonën në një motor të fuqishëm ekonomik pa prekur pronën e shtetit./a.d
