Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, i pranishëm në emisionin “Puls” të në A2CNN, ka ndarë qëndrimet e tij lidhur me zhvillimet më të fundit rreth protestës qytetare që po zhvillohet në bulevard. Gjatë kësaj interviste, Alimehmeti u shpreh me tone vlerësuese për formën dhe pjesëmarrjen në këtë tubim, por në të njëjtën kohë analizoi nevojën që kjo lëvizje të mos i trembet artikulimit politik, nëse kërkon të arrijë me sukses pesë pikat e saj kryesore, duke synuar një ndryshim rrënjësor të sistemit aktual qeverisës.
Sipas zyrtarit të opozitës, çdo lëvizje e këtij lloji mbart në vetvete një peshë të pashmangshme politike dhe suksesi i saj varet pikërisht nga kalimi në këtë fazë diskutimi. Alimehmeti e vendosi theksin te domosdoshmëria e një shkundjeje të establishmentit të krijuar nga kryeministri Edi Rama, duke deklaruar tekstualisht:
“Po bëjnë një protestë jashtëzakonisht të bukur, me diferenca të qarta, mosha, qytetaria, rregullsia le të themi. Nuk mendoj që një protestë s’ka organizatorë, por s’i kemi publik. Kjo është gjëja më e parëndësishme në këtë moment. Nevojitej një shkundje e gjithë sistemit politik, establishmentit të krijuar nga Rama. Ato 5 pikat që kanë kërkuar, mbështeten gjerësisht, qoftë nga opozita, por sidomos nga njerëzit. Çdo lloj proteste, lëvizje merr një drejtim politik. Pjesa s’ka politik, s’ka politik, s’i jep zgjidhje. Por kërkesat janë thellësisht politike, dhe është e nevojshme hyrja në këtë lloj diskutimi. Çdo qytetar duhet ta mbështesë si protestë. Kërkohet një fushë e pastër dhe garë e barabartë. Unë jam personalisht në bulevard dhe 5 kërkesat që ata kanë janë shumë të drejta dhe i mbështes. Brenda protestës ka 10-12 grupime të ndryshme, politike, apo parapolitike. Secili jashtë 5 objektivave madhore ka edhe objektivat e veta”, tha ai.
Në këtë mënyrë, anëtari i udhëheqjes së Partisë Demokratike legjitimoi jo vetëm praninë e tij në shesh në krah të protestuesve, por edhe pluralizmin e brendshëm të kësaj lëvizjeje, ku sipas tij bashkëjetojnë grupime të natyrave të ndryshme me qëllimin e përbashkët për të garantuar një garë të barabartë në skenën publike shqiptare./a.d
