Numri i vdekjeve të konfirmuara, si pasojë e shpërthimit të fundit të Ebola-s në Republikën Demokratike të Kongos është rritur në 115, njoftuan sot autoritetet lokale.
Ministria e Informacionit bëri të ditur se gjithsej janë konfirmuar, 598 raste infektimi, që nga fillimi i shpërthimit, në pjesën lindore të vendit, në muajin prill.
Ndërkohë, në Ugandën fqinje, e cila po ashtu është prekur nga epidemia, deri më tani janë konfirmuar 19 raste dhe dy viktima.
Ebola është një sëmundje kërcënuese për jetën. Virusi transmetohet përmes kontaktit fizik dhe kontaktit me lëngjet trupore të personave të infektuar.
Shpërthimi aktual konsiderohet i vështirë për t’u frenuar, pjesërisht për shkak se aktualisht nuk ekziston as vaksinë dhe as trajtim specifik për variantin “Bundibugyo” të virusit Ebola.
Sipas Ministrisë së Informacionit, shkalla e vdekshmërisë nga ky shpërthim ka arritur në 19,2%.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për të ndalur përhapjen e sëmundjes, është e nevojshme të identifikohen dhe monitorohen, 90% e personave që kanë pasur kontakt me një të infektuar.
Megjithatë, sipas ministrisë në Kinshasa, gjurmimi i kontakteve aktualisht mbulon vetëm rreth 56,3% të rasteve.
Në rajonin Ituri, në verilindje të Kongos, ku është përqendruar shpërthimi aktual, infrastruktura shëndetësore ekzistuese mbetet e dobët edhe në kushte normale.
Situatën e vështirësojnë pasiguria dhe konfliktet në zonë, ku veprojnë disa grupe të armatosura militante./mxh
