Në Washington po përgatitet një festë e pazakontë për 80-vjetorin e presidentit amerikan, Donald Trump. Më 14 qershor, ditë që pritet të mbetet në histori si një nga ngjarjet më të bujshme të ditëlindjeve presidenciale në SHBA.
Në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë është ndërtuar një arenë me rreth 4 300 vende, e mbuluar nga një strukturë gjigante 27 metra e lartë e quajtur “The Claw”, në anën jugore të rezidencës presidenciale.
Punimet, me një kosto rreth 60 milionë dollarë, po financohen nga organizata UFC, ndërsa pranë saj po ndërtohet edhe një sallë vallëzimi me vlerë rreth 400 milionë dollarë.
Në qendër të strukturës do të vendoset një ring, ku pritet të zhvillohen ndeshje me atletë të arteve marciale. Vetë Trump ka sugjeruar se struktura mund të mbetet e përhershme, duke e krahasuar me monumente ikonike si Kulla Eiffel, e ndërtuar fillimisht për një ekspozitë botërore dhe më pas e kthyer në simbol të Parisit.
Kjo festë është pjesë edhe e përgatitjeve për 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ndërsa 14 qershori përkon gjithashtu me Ditën e Flamurit amerikan.
Paralelisht me festimet, janë ngritur edhe polemika për shitjen e monedhave përkujtimore me figurën e Trump, në ar, argjend dhe me çmime që variojnë nga 250 deri në 12 mijë dollarë. Ato mbajnë simbolet “250” dhe “We the People”. Ka pasur gjithashtu akuza për përfitime financiare nga lidhjet me UFC dhe tregjet e aksioneve, të cilat janë mohuar nga administrata, duke u theksuar se menaxhimi i investimeve kryhet nga palë të pavarura.
Në të njëjtën kohë, në mbarë vendin janë paralajmëruar protesta nën moton “No Kings”. Sipas sondazheve të fundit, niveli i miratimit të Trump ka rënë në rreth 37%, ndërsa vlerësimi për ekonominë edhe më poshtë, rreth 29%, ndonëse ai ruan mbështetje të fortë brenda bazës republikane.
Festa dhe përdorimi i gladiatorëve apo ndeshjeve në Shtëpinë e Bardhë ka ngjallur debat të madh publik.
Vetëm një pakicë e amerikanëve e konsideron të përshtatshme një skenë të tillë në rezidencën presidenciale, ndërsa kritikët e krahasojnë me spektakle të tepruara politike dhe historike.
Trump, i njohur prej kohësh si tifoz i UFC, ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me drejtues të këtij sporti dhe më herët ka pritur evente të tij në pronat personale.
Ndërkohë, diskutime janë ngritur edhe për gjendjen e tij shëndetësore, pas kontrolleve të fundit mjekësore që e kanë cilësuar në gjendje të mirë, megjithëse sondazhet tregojnë se një pjesë e opinionit publik shpreh skepticizëm. Në këtë klimë politike të polarizuar, festimi i 80-vjetorit të tij po shndërrohet në një ngjarje që tejkalon thjesht karakterin ceremonial, duke u bërë pjesë e debatit më të gjerë politik në SHBA./kb
