Last Updated on 14/06/2026 by Kesjana
Një studim i ri mbi fosilet e ariut të Atlasit, një nënlloj i ariut të murrmë i zhdukur në shekullin XIX, ka zbuluar një veçori të pazakontë: ai ushqehej pothuajse ekskluzivisht me bimë. Ariu i Atlasit ishte i vetmi ari që ka jetuar ndonjëherë në Afrikë, kryesisht në malet Atlas, mes Marokut dhe Tunizisë. Kjo specie u zhduk në shekullin XIX për shkak të gjuetisë dhe shkatërrimit të habitatit të saj. Studiues nga Spanja dhe Maroku analizuan kolagjenin e ruajtur në kockat fosile të individëve që kanë jetuar rreth 10 mijë vjet më parë. Duke studiuar izotopet e azotit në kocka, ata arritën të rindërtojnë dietën e kafshës. Rezultatet treguan nivele jashtëzakonisht të ulëta të azotit, madje më të ulëta se ato të barngrënësve që jetonin në të njëjtën zonë, si delet dhe antilopat. Kjo sugjeron se ariu i Atlasit ushqehej pothuajse vetëm me bimë, pa shenja të një diete të përzier me mish. Sipas studiuesve, dieta e tij përbëhej kryesisht nga bishtajore dhe bimë të egra. Edhe anatomia e tij dukej e përshtatur për këtë mënyrë jetese: kishte putra më të vogla se ariu i zakonshëm i murrmë, por kthetra më të gjata, të dobishme për të gërmuar tokën dhe për të nxjerrë bimët Shkencëtarët mendojnë se ky ari mund të ketë braktisur mishin për të shmangur konkurrencën me grabitqarë të tjerë të fuqishëm, si hienat dhe macet e mëdha. Kështu, ai zgjodhi një strategji të pazakontë mbijetese, duke u bërë një nga arinjtë më vegjetarianë të njohur deri më sot./kb
