Kur ministri bullgar i Mbrojtjes tha të martën se vendi i tij nuk do të ofrojë më armë për Ukrainën, njoftimi u duk si deja vu për shumë bullgarë. Në muajt menjëherë pas agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022, zyrtarët bullgarë këmbëngulën se “asnjë plumb i vetëm i prodhuar në Bullgari” nuk po dërgohej në Ukrainë.
Megjithatë, në praktikë, industria e mbrojtjes e vendit rriti ndjeshëm eksportet drejt vendeve ndërmjetëse si Polonia dhe Çekia, të cilat më pas furnizuan me armë Kievin. Marrëveshja i lejoi qeverisë së koalicionit të Bullgarisë në atë kohë të mbante një nga partitë e koalicionit në qeveri, ndërkohë që vazhdonte të siguronte furnizime ushtarake për Ukrainën.
Çfarë nënkupton në të vërtetë ndalimi?
Ndalimi i fundit vlen vetëm për furnizimet direkte nga rezervat shtetërore, por ai nuk e pengon industrinë bullgare të armëve të eksportojë armë në Ukrainë. Shtrohet pyetja, nëse ndryshimi i politikës nga qeveria e re e ish-presidentit Rumen Radev dhe partisë së tij Bullgaria Progresive i drejtohet si mesazh Kievit apo, edhe një herë, asaj pjese të shoqërisë bullgare që ka pikëpamje pro-ruse. Gjatë një seance parlamentare të mërkurën, ministri i Mbrojtjes e arsyetoi vendimin e fundit duke thënë se vendi “nuk ka më armë për të dhënë” sepse rezervat bullgare janë “nën nivelin minimal të kërkuar”. Si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Rumen Radev, vendimi i Stojanov duket se pasqyron një linjë më të gjerë brenda qeverisë.
Bullgaria ka dërguar 13 paketa ndihme ushtarake në Kiev që nga fillimi i luftës, vetë Radev i ka kundërshtuar vazhdimisht dërgesat e mëtejshme të armëve në Ukrainë. Tashmë kemi dhënë mjaft, ndërsa vendi ynë vazhdon të pësojë dëme socio-ekonomike nga kjo luftë e përgjakshme”, tha Radev të mërkurën, duke mbrojtur vendimin e qeverisë./kb
