Ish-deputeti i së djathtës dhe ish-kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, e ka vlerësuar protestën që po zhvillohet si një nga më të organizuarat dhe më të qëndrueshmet e viteve të fundit, duke theksuar se ajo tashmë duhet të kalojë nga faza e protestës në artikulim politik konkret.
Sipas Shehit, protesta ka elementë që e bëjnë atë të veçantë në raport me lëvizjet e mëparshme qytetare, përfshirë identifikimin e qartë të kundërshtarëve politikë dhe karakterin e saj të hapur.
“Unë them që kjo është protesta më e mirë dhe më e fisshme e këtyre viteve. Ka disa elementë. Një është që kanë identifikuar kundërshtarin, dy shefat e partive dhe kjo është gjë shumë e mirë
E dyta është që është horizontale, brenda protestës ka qëndrime dhe besime të ndryshme, por mllefin e kanë të përbashkët, kundër establishmentit politik. Pelikanët janë sebepi i kësaj.
Përtej protestës, a do prodhojnë një grup politik, a do jenë të zotë ti sistemojnë inatet e veta atje. Ka ardhur dita tani të fillojnë të mendojnë kërkesat. Thonë Shqipëria e re, shumë e bukur, kam 30 vite që mundohem vetë për një rrugë të tretë, këta ja dolën sepse janë më të zotë se unë, por duhet të fillojnë të mendojnë se si do ta konkretizojnë këtë lëvizje, qoftë kërkesë për një qeveri tranzitore apo edhe kërkesa të tjera të cilët ata i gjykojnë si të domosdoshme për lëvizjen”, tha Shehi në “Top Story” /a.d
