Last Updated on 16/06/2026 by Anisa
Lamtumirë “kujdestari” i shëndetit të fëmijëve!
Sot u zgjova me një lajm të trishtë. Mjeku Edi Tushe ishte shuar!
Është mjeku të cilit i dedikoj mirërritjen e vajzës së vogël dhe shëndetin e saj.
Ishte jo vetëm një mjek i mrekullueshëm, por edhe një njeri i madh(nuk mendoj se një mjek mund të jetë shumë i mirë, pa qenë edhe një njeri shumë i mirë).
Ai, para se të shëronte fëmijën, shëronte prindërit që shkonin në derë të tij me “ububu”, edhe për shqetësimin më të vogël të fëmijës.
Ai ishte mjeku anti-farmaci, e anti-antibiotik, edhe për një kollë e një temperaturë të lehtë.
Me qetësinë e tij “olimpike” dhe babaxhanllëkun karakteristik, ai “shtronte” në poltronin e kontrollit mjeksor edhe fëmijën më rrebel.
Ai ishte qetësuesi i netëve “të gjata”, kur i përgjigjej telefonit të nënave me shprehjen: “Çfarë ka? Ehë, nuk është shqetësuese. Kalon, është normale. Nesër e shikojmë. Qetësohuni”.
Sa shumë familjeve në Tiranë dhe jo vetëm, do ju mungosh nga sot doktor!
Lamtumirë!
