Last Updated on 17/06/2026 by EL
Një akt vetëkorrigjimi të shtetit e quajti kryeparlamentari Niko Peleshi procesin e vetingut dhe reformën në drejtësi, teksa rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve mbërrin në finish.
Së bashku me zëvendëskryeministren Albana Koçiu, ai vuri theksin te ruajtja e këtyre standardeve, tashmë që stafeta u kalon institucioneve të përhershme të drejtësisë.
Ambasadori i Bashkimit Europian theksoi se ky nuk është fundi i reformës në drejtësi, por fillimi i një faze të re, po aq të rëndësishme. “Mekanizmat e jashtëzakonshëm të vendosur me reformën e vitit 2016 ishin parashikuar si mjete të përkohshme. Misioni i tyre po përmbyllet, por standardet e vendosura prej tyre duhet të qëndrojnë. Mësimet e nxjerra gjatë këtyre 9 viteve nuk duhet të harrohen. Kjo do të thotë që verifikimi i pasurive, integritetit, mbikëqyrja etike dhe vlerësimi profesional të vazhdojnë të zbatohen, jo më përmes mekanizmave të jashtëzakonshëm, por përmes punës së rregullt të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri”, tha Gonzato.
Zëvendësdrejtoresha për Drejtësinë në Komisionin Europian shpjegoi se, që Shqipërisë t’i hapen dyert e anëtarësimit, nevojitet që rezultatet të bëhen pjesë e kulturës së përditshme.
“Teksa Shqipëria futet në një fazë të re të procesit të anëtarësimit, ruajtja e rezultateve dhe e shtetit të së drejtës mbeten thelbësore. Për të vazhduar trashëgiminë e mekanizmave të përkohshëm të vetingut, siç ambasadori Gonzato e nënvizoi, është tashmë e nevojshme të konsolidohet një kulturë e integritetit, profesionalizmit dhe llogaridhënies në përditshmërinë e punës së institucioneve të drejtësisë. Standardet e arritura duhet të ruhen dhe të mbeten të pakthyeshme”, tha Irena Moozová.
Rolin e organeve të vetingut tashmë e marrin Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Gjykata Kushtetuese merr funksionet e apelimit, ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë ruan rolin e vet.
Në finale, garant i standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët mbetet SPAK-u. Drejtuesi i tij bëri të qartë se i ka të gjithë nën vëzhgim, përfshirë edhe ata që kanë kaluar sitën e vetingut. /et
