Last Updated on 17/06/2026 by EL
Eksportet shqiptare vijuan rritjen edhe në muajin maj, por me ritme të moderuara, ndërsa importet u zgjeruan më shpejt, duke thelluar sërish deficitin tregtar. Pas shifrave të përgjithshme fshihen dy zhvillime të kundërta, dobësimi i vazhdueshëm i sektorit të tekstileve dhe këpucëve, ndërsa importet e lëndëve djegëse po shtohen nën ndikimin e tensioneve në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Sipas të dhënave të INSTAT, në maj 2026 eksportet arritën në 32.7 miliardë lekë, me një rritje prej 2.8% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, ndërsa importet u rritën me 4.1%, duke arritur në 80.9 miliardë lekë. Si rezultat, deficiti tregtar u zgjerua në 48.2 miliardë lekë, me një rritje prej 5.1% në terma vjetorë.
Kontributin më të madh pozitiv në eksporte e dhanë ushqimet, pijet dhe duhani, si edhe materialet e ndërtimit dhe metalet, duke kompensuar pjesërisht dobësinë e sektorëve tradicionalë. Në të kundërt, tekstilet dhe këpucët dhanë ndikimin më të madh negativ, me -4.3 pikë përqindje, duke konfirmuar vështirësitë që po kalon industria fason.
Forcimi i lekut ndaj euros vijon të ushtrojë presion mbi eksportuesit, veçanërisht mbi industrinë fason, e cila realizon pjesën më të madhe të kontratave në euro. Kursi i ulët i këmbimit ka reduktuar të ardhurat në lekë dhe ka dobësuar konkurrueshmërinë e prodhuesve shqiptarë në tregjet europiane.
Nga ana tjetër, në importe ndikimin më të madh e dha grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, me një kontribut pozitiv prej 3.2 pikë përqindje në rritjen vjetore të importeve. Zhvillimi vjen në një periudhë kur tensionet në Lindjen e Mesme dhe pasiguritë në tregjet globale të energjisë kanë mbajtur të larta kostot dhe çmimet e furnizimit me karburante.
Në aspektin e tregjeve partnere, eksportet shqiptare u rritën drejt Kosovës dhe Greqisë, ndërsa ranë drejt Italisë dhe Gjermanisë. Nga ana tjetër, importet u zgjeruan kryesisht nga Italia dhe Kina, ndërsa u tkurrën nga Gjermania dhe Spanja, duke treguar një orientim më të madh të furnizimeve drejt Italisë dhe tregjeve aziatike./et
