Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare, me një rend dite të ngjeshur ku përfshihen tre interpelanca, një seancë pyetje-përgjigje dhe disa projektligje të rëndësishme.
Seanca pritet të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së kaluar dhe njoftimet e zakonshme, ndërsa më pas deputetët do të informohen mbi konkluzionet e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim.
Një pjesë e rëndësishme e seancës do t’i kushtohet kontrollit parlamentar. Në rend dite janë parashikuar tre interpelanca me anëtarë të qeverisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, do të jetë në një interpelancë urgjente të kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike. Deputeti Erion Braçe ka kërkuar interpelancë me zëvendëskryeministren Albana Koçiu, ndërsa deputetja Ina Zhupa do të kërkojë sqarime nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Në vijim, ministrja Evis Sala do t’u përgjigjet edhe pyetjeve të deputetit Erald Kapri në një seancë të posaçme pyetje-përgjigje.
Pas interpelancave, Kuvendi pritet të kalojë në shqyrtimin e një pakete projektligjesh. Mes tyre është projektligji “Për dhënie amnistie”, si dhe disa ndryshime në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, të cilat pritet të sjellin debat mes palëve politike.
Në rend dite janë gjithashtu projektligji “Për sektorin e energjisë elektrike”, ligji për informacionin elektronik të transportit të mallrave dhe ndryshime në ligjin për sigurimet shoqërore.
Në pjesën e fundit të seancës pritet të shqyrtohen edhe disa projektvendime me karakter organizativ dhe afatgjatë, përfshirë Planin Strategjik të Kuvendit 2026-2030 dhe ngritjen e disa nënkomisioneve parlamentare në fusha si auditimi publik, administrata shtetërore, zhvillimi i qëndrueshëm, bujqësia dhe integriteti i informacionit publik, përfshirë edhe luftën ndaj dezinformimit./a.d
