Last Updated on 18/06/2026 by Kesjana
Edhe pas 35 vitesh nga zbulimi i saj, mumia më e vjetër natyrore e Evropës vazhdon t’i habisë shkencëtarët. Bëhet fjalë për Ëtzi-n, njeriun që jetoi rreth viteve 3300–3100 para Krishtit dhe u gjet i ngrirë në Alpet italiane në vitin 1991. Një studim i ri ka zbuluar se trupi i mumifikuar i Ëtzi-t strehon një komunitet të pasur mikroorganizmash, duke e bërë atë një lloj ekosistemi mikrobik unik. Studiuesit arritën të rindërtojnë materialin gjenetik të baktereve dhe majave (tharmeve) që jetojnë brenda dhe mbi muminë, disa prej të cilave janë përshtatur për të mbijetuar në temperatura ekstremisht të ulëta. Shkencëtarët e institutit Eurac Research në Bolcano morën mostra nga shtresa e akullit që mbulon muminë, nga uji i shkrirë brenda saj, si dhe nga mostra të ruajtura të tokës ku Ëtzi u gjet në vitin 1991. Analizat treguan se mikroorganizmat që jetonin në aparatin tretës të Ëtzi-t gjatë jetës së tij janë shumë të ndryshëm nga ata që gjenden sot te njerëzit që jetojnë në shoqëri moderne të industrializuara. Zbulimi më interesant lidhet me majat mikroskopike të gjetura në lëkurë, në stomak dhe në ujin brenda mumisë. Këta organizma janë të specializuar për të jetuar në mjedise të ngrira dhe janë të ngjashëm me mikroorganizmat që gjenden sot në zona akullnajore të ashpra, si Antarktida. Sipas studiuesve, ato mund të kenë origjinën nga akullnajat ku Ëtzi qëndroi i ngrirë për mijëra vjet para se të zbulohej. Analizat treguan praninë e ADN-së së vjetër dhe të re, duke dëshmuar se komunitetet mikrobike vazhdojnë të jetojnë dhe të zhvillohen edhe sot në kushtet e ruajtjes së mumisë. Ëtzi mbahet në një dhomë frigoriferike speciale në Muzeun Arkeologjik të Tirolit të Jugut, ku temperatura ruhet vazhdimisht në -6°C dhe lagështia arrin në 99%, duke imituar kushtet e akullnajës ku u gjet. Një tjetër detaj interesant është se tre nga katër llojet kryesore të majave të zbuluara kanë aftësinë të shpërbëjnë fenolin, një substancë që përdoret për të parandaluar zhvillimin e kërpudhave në sipërfaqen e mumisë. Kjo tregon se mikroorganizmat e Ëtzi-t janë përshtatur edhe me mjedisin modern ku ai ruhet sot. Sipas studiuesve, këto mikroorganizma të dashuruar pas të ftohtit mund të kenë vlerë edhe për industrinë. Në të ardhmen, ato mund të përdoren për procese fermentimi ose prodhimi që zhvillohen në temperatura të ulëta, duke i bërë disa procese industriale më efikase dhe më pak energjikisht të kushtueshme.
