Administrata Trump po planifikon një rritje të ndjeshme të rasteve për heqjen e shtetësisë për qytetarët amerikanë të natyralizuar, sipas CNN, që citon për këtë pohim një zyrtar të lartë të Departamentit të Drejtësisë.
Nga të dhënat e raportuara, shkruan rrjeti i njohur televiziv, deri në muajin tetor pritet të paraqiten të paktën 250 raste për “denatyralizim”, ndërsa vetëm në dy muajt e fundit janë paraqitur 29 raste kundër personave të lindur jashtë SHBA-së, të cilët akuzohen se kanë marrë shtetësinë në mënyrë të paligjshme ose përmes mashtrimit. Në krahasim me të kaluarën, kjo përbën një rritje të madhe: nga viti 2008 deri më 12 qershor 2026 ishin regjistruar gjithsej 166 raste, mesatarisht më pak se 10 në vit.
Ky intensifikim është pjesë e politikës më të gjerë të emigracionit të qeverisë së Trumpit, e cila shënjestron jo vetëm personat pa dokumente, por ka në vëmendje edhe rishikimin e statusit të disa qytetarëve të natyralizuar.
Sipas burimeve të Departamentit të Drejtësisë, për këtë qëllim, drejt rasteve në fjalë, janë riorientuar burime njerëzore edhe nga sektorë të tjerë. Autoritetet amerikane theksojnë se heqja e shtetësisë është një mjet ligjor që ekziston prej dekadash dhe aplikohet në raste kur provohet se shtetësia është marrë përmes deklarimeve të rreme ose kur personi nuk ka qenë i kualifikuar ligjërisht për ta përfituar atë.
Rastet e ngritura deri tani përfshijnë individë të akuzuar për mashtrim, abuzim të të miturve ose për mbështetje të terrorizmit gjatë apo para procesit të natyralizimit./a.d