Dy vajza nga Topanica e Kamenicës kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident në Gjermani. Viktimat janë identifikuar si Erza Zubaku 24 -vjeçe, dhe Aulona Zubaku 18-vjeçe, raportojnë mediat kosovare.
Sipas raportimeve, vdekja e tyre është konfirmuar edhe nga familjarët e të ndjerave, teksa dhimbja për këtë humbje është e madhe.
Nga ana tjetër, mediat gjermane raportojnë se një person i përfshirë në aksident ka pësuar lëndime të rënda. Në aksidentin zinxhir që pasoi përplasjen fillestare, ku u përfshinë gjithsej pesë automjete, humbën jetën dy vajza.
Sipas dyshimeve të para, shkaku i aksidentit ka qenë një manovër e gabuar për ndryshimin e korsisë. Dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën me shpejtësi të lartë, duke shkaktuar aksidentin fillestar. Një nga personat e përfshirë mbeti i lënduar rëndë.
Për shkak të përplasjes, pesë automjete që po lëviznin pas tyre nuk arritën të frenonin në kohë, duke shkaktuar një aksident tjetër zinxhir.
Sipas informacioneve paraprake të policisë, pasagjerët e katër automjeteve nuk kanë pësuar lëndime, ndërsa dy vajzat nga Kosova që udhëtonin së bashku në një makinë humbën jetën në vendngjarje.
