Last Updated on 23/06/2026 by EL
Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka bërë të ditur se ka depozituar një kërkesë për gjykim penal ndaj moderatorit Arjan Çani, të cilin e akuzon për deklarata antishqiptare, shpifëse dhe nxitëse të urrejtjes, të bëra ndër vite në ekranet televizive.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bido shprehet se Çani ka përdorur mediat për të përhapur, sipas tij, mesazhe që dëmtojnë interesin kombëtar dhe imazhin e shqiptarëve. Deputeti socialist paralajmëroi gjithashtu se nesër do të depozitojë edhe një padi civile, duke kërkuar 10 milionë lekë të reja dëmshpërblim për deklaratat e bëra ndaj tij.
Sipas Bidos, çdo shumë që mund të përfitohet nga procesi gjyqësor do t’u dhurohet banorëve të Zvërnecit. Ai thekson se askush nuk mund të përdorë ekranet televizive shqiptare për të përhapur urrejtje apo për të helmuar debatin publik me deklarata të papërgjegjshme./et
