Last Updated on 24/06/2026 by Anisa
Nga Shpëtim Luku
Çdokush e ka të nevojshme që gjatë jetës së tij të krijojë një profil dhe një identitet të caktuar në raport me të tjerët. Shkalla më e lartë e këtij identiteti është ai profesional. Njeriu bën emër si mjek, inxhinier, filozof, ekonomist, artist apo sipërmarrës. Kësaj i thonë të njihesh nga publiku nëpërmjet veprës që i ofron atij. Emri yt lidhet me një kontribut konkret, me diçka që ke krijuar, ndërtuar ose lënë pas.
Cen Bulku dhe Cen Kazazi, dy mjekë alternativë në kohën e tyre, ishin të njohur në mbarë Shqipërinë pikërisht për veprimtarinë e tyre të dobishme. Njerëzit nuk i njihnin sepse ishin të pranishëm kudo, por sepse kishin bërë diçka që të tjerët e vlerësonin. Ata kishin krijuar një emër.
Në kohët e sotme, megjithatë, jeta publike po dominohet gjithnjë e më shumë nga persona pa një profil të qartë profesional. Njerëz që mjafton të jenë të kudogjendur në ekrane, në rrjete sociale, në studio televizive apo në kronika lajmesh. Tek njerëzit racionalë kjo shpesh sjell habi dhe, jo rrallë, edhe irritim. Arsyeja është e thjeshtë: ata paraqiten si fytyra publike, por nuk kanë krijuar një emër në ndonjë profesion të caktuar.
Persona të tillë e ndërtojnë identitetin e tyre mbi një episod të jetës, të cilin e pompojnë dhe e ripërsërisin pa pushim, derisa publiku fillon t’i njohë pikërisht për atë episod. Në vend që të prezantojnë një vepër, ata prezantojnë një histori. Në vend që të flasin për atë që kanë krijuar, flasin për atë që u ka ndodhur.
Del dikush dhe trumbeton si meritën kryesore të jetës së tij faktin se ka qenë pjesëmarrës i UÇK-së. Dhe mbi këtë fakt përpiqet të ndërtojë një karrierë politike, mediatike apo publike. Mirëpo çfarë do të thotë se ke qenë pjesëmarrës në UÇK? Pa dyshim, është një element i rëndësishëm biografik dhe një kontribut që meriton respekt. Lufta e Kosovës ishte një ngjarje e madhe historike dhe shumë njerëz sakrifikuan për të.
Por respekti për një kontribut nuk duhet ngatërruar me aftësinë për të ushtruar çdo rol tjetër në shoqëri. Të kesh qenë luftëtar nuk do të thotë automatikisht se je administrator i mirë, ekonomist i mirë, drejtues i mirë apo politikan i mirë. Këto cilësi fitohen në fusha të tjera, me dije, përvojë, punë dhe rezultate konkrete.
Nëse pranojmë logjikën e kundërt, atëherë nuk po vlerësojmë më meritën, por po adhurojmë biografinë. Nuk po gjykojmë më njeriun për atë që bën sot, por për atë që ka bërë një herë e një kohë. Dhe ky është një standard i rrezikshëm për çdo shoqëri që pretendon të ecë përpara.
Në shoqëritë moderne njerëzit nderohen për kontributet e tyre historike, por pozicionet publike fitohen mbi bazën e kompetencës. Askush nuk bëhet kirurg sepse ka qenë trim. Askush nuk bëhet profesor sepse ka qenë patriot. Askush nuk bëhet drejtues i suksesshëm vetëm sepse ka marrë pjesë në një ngjarje të rëndësishme historike. Për çdo profesion ekziston një provë e vazhdueshme e aftësisë.
Problemi i kohës sonë është se shpesh po ngatërrojmë famën me vlerën dhe ekspozimin me meritën. Një person që shfaqet çdo ditë në publik krijon përshtypjen se është i rëndësishëm, edhe kur nuk ka lënë asnjë gjurmë në ndonjë fushë të caktuar. Ai bëhet i njohur jo për atë që ka bërë, por për faktin se njihet.
Kështu krijohet një kategori njerëzish që kanë fytyrë, por jo emër. Fytyra është produkt i ekspozimit. Emri është produkt i veprës. Fytyra mund të ndërtohet me zhurmë, me marketing dhe me përsëritje. Emri ndërtohet me vite pune, me sakrifica dhe me rezultate që i rezistojnë kohës.
Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi themelor. Fytyra jeton sa kohë që projektori është i ndezur. Emri vazhdon të jetojë edhe pasi dritat janë fikur. Prandaj shoqëritë serioze nuk pyesin fillimisht: “Kush je?” Ato pyesin: “Çfarë ke bërë?” Sepse në fund të fundit, identiteti më i qëndrueshëm i një njeriu nuk është historia që tregon për veten, por vepra që lë pas.
