Last Updated on 24/06/2026 by Kesjana
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në eventin për infrastrukturën nëntokësore në zonat urbane.
Rama u shpreh se shumë shpejt do të lançohet një program për parkime në qytetet ku qarkullimi është më i lartë, ndërsa shtoi se prioritet do të jenë dhe zonat me shumë ngarkesë për shkak të turizmit.
“Do të lançojmë konkretisht dhe do të mbështesim një program për të krijuar kapacitet domethënës për parkimet, sidomos në qytetet me intensitet të lartë qarkullimi. Prioritet qytetar dhe zonat me ngarkesë për shkak të turizmit. Programi i parkimeve është i veçantë dhe ka disa komponentë, për të cilat të gjitha bashkitë do të kenë programin e shkruar. Kemi disa formula. Përveç financimit direkt të punës për ndërtimin e tyre, por edhe një tjetër formulë për të mundësuar bashkive të aksesojnë bankat ose të bashkëpunojnë me subjektet private”, tha kryeministri.
Ndër të tjera bëri me dije se qeveria ka një plan të qartë zhvillimi edhe për zonat ish-industriale që janë të braktisura.
“Një tjetër element i rëndësishëm është shtylla që lidhet me zonat ish-industriale. Edhe për to kemi një plan të qartë pune me bashkitë. Është bërë identifikimi i këtyre zonave që janë të braktisura. Kemi modele të krijuara që na japin mundësinë të kuptojmë sesi do t’i zhvillojmë. Edhe për muzetë e identiteteve lokale është bërë një punë nga bashkitë, të cilat do të kenë rol të rëndësishëm në këtë proces. Ngjitja jonë nuk mund të jetë diçka e qëndrueshme nëse nuk e pasurojmë ofertën tonë turistike”, u shpreh Rama. /kb
